Një person i cilësuar si furnizues me drogë i anëtarëve të një grupi trafiku në kryeqytet është arrestuar sot pas një operacioni të befasishëm.
Policia e Tiranës ka finalizuar fazën e dytë të operacionit të koduar “Zonat”, i fokusuar në goditjen e veprimtarive të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar të bluve, në pranga është vënë shtetasi F. B., 51 vjeç, i dyshuar për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Operacioni është zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe një hetimi të organizuar më parë.
Gjatë ndërhyrjes, forcat e policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar atë në një lokal në zonën e Freskut, ku gjatë kontrollit të çantës së tij janë gjetur dhe sekuestruar 811 gramë kokainë, e cila dyshohet se do të shpërndahej në doza në zona të ndryshme të Tiranës.
Sipas hetimeve paraprake, i arrestuari dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë që merrej me furnizimin dhe shpërndarjen e drogës në kryeqytet. Autoritetet po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
