Kishim vite pa e parë një ekip të tillë.
Ky ishte komenti dhe përfundimi i gazetave, televizioneve, radiove dhe portaleve në Angli pasi kombëtarja e vendit të tyre e nisi me fitore Kupën e Botës.
Suksesi ndaj Kroacisë në stadiumin e Dallasit ishte 4-2, por së pari me lojë sulmuese që padyshim kënaqi shumicën e mbi 70 000 spektatorëve.
“Nëse do të humbasim, le ta pësojmë me këtë stil”, ishin fjalët e trajnerit Tomas Tuhel pas ndeshjes.
“Tre luanët” udhëhoqën vazhdimisht përballë një ekipi ballkanas që mbetet I rrezikshëm, por yjet e së cilës ose I janë afruar fundit të karrierës, ose nuk janë ende gati për një skenë të tillë.
Kapiteni Harri Kejn shënoi dy gola, Belingham dhe Rashford nga një tjetër, ndërsa kroatët barazuan dy herë në pjesën e parë, me gola nga Baturina dhe Musa.
Luka Modriç e tregoi gjithë moshën e tij duke shkaktuar penallti, Perishiç apo Brozoviç ishin shumë të vjetër, ndërsa Suçiç apo Baturina duken e ardhmja për ballkanasit.
Gjithsesi, shpikësit e futbollit kanë se përse të shqetësohen.
Nëse loja ofensive ishte shumë e mirë, mbrojtja ishte poroze dhe jo vetëm u pësuan dy gola, por edhe u kaluan rreziqe të tjera.
Megjithatë, Tuhel nuk ka ndërmend të heqë dorë nga futbolli I tij, për të fituar duke shënuar shumë, dhe jo 1-0.
Për më tepër, Anglia ka stol dhe kjo u duk kur lojtarë si Saka, Roxhers apo Gehi hynë si zëvendësues, pa përmendur të tillë si Foden e Palmer që u lanë në shtëpi
