Flamurtari rikthen në shtëpi sulmuesin Ardit Hoxhaj

SPORT


Flamurtari ka rikthyer në shtëpi sulmuesin Ardit Hoxhaj. 25-vjeçari ka firmosur me klubin vlonjat duke u bërë kështu futbollisti i radhës që bashkohet me ‘kuqezinjtë’, në pritje të nisjes së sezonit të ri sportiv. Hoxhaj vjen si një përforcim i rëndësishëm për klubin e Flamurtarit, që këtë sezon vjen me jo pak vështirësi, pasi i ka nisur përgatitjet më vonë se çdo klub tjetër i Superligës.

Sulmuesi i krahut të majtë lë kështu Luftëtarin dhe kthehet aty ku ka hedhur hapat e para të karrierës së tij si futbollist. Më herët ai është aktivizuar me klube si Bylis, Korabi, Skënderbeu dhe Ferizaj në Kosovë. Sezonin e fundit në Superligë ai ka luajtur vetëm 8 ndeshje duke shënuar një gol, ndërsa një tjetër e ka shënuar në Kupën e Shqipërisë. Ardit Hoxhaj është prezantuar të martën te klubi i Flamurtarit, por vlonjatët nuk bëjnë të ditur detaje nga kontrata me sulmuesin.  

Megjithatë, Flamurtaritashmë është duke formuar grupin e lojtarëve që do të jenë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm në Superligë. Klubi ka arritur të marrë licensën nga FSHF për të luajtur në kampionat, pasi ka arritur një marrëveshje me organet tatimore për çështjen e borxheve.



Skip to toolbar