Borxhet ndaj lojtarëve, FIFA bllokon merkaton e Flamurtarit dhe Luftëtarit

Flamurtari është dënuar me pezullimin në tre sesione të merkatos, ose thënë ndryshe për një vit e gjysmë klubi kuqezi nuk do të kryejë dot transferta lojtarësh. Panorama Sport raportoi të hënën se Flamurtari është dënuar nga FIFA së bashku me Luftëtarin.

Shkak i këtij dënimi janë bërë borxhet dhe problemet me pagesat e lojtarëve dhe stafit drejtues, të trashëguara nga e kaluara. Në të paktën tre sezonet e fundit Flamurtari ka pasur probleme me likuidimin e lojtarëve dhe stafit teknik, çka ka bërë që shpesh këto probleme të përfundojnë me padi në FIFA.

Për këtë arsye, qeveria botërore e futbollit ka vendosur të dënojë klubin vlonjat duke e privuar nga merkato gjatë janarit dhe verës së këtij viti, si dhe në janarin e vitit të ardhshëm. Gjithashtu, FIFA ka dënuar edhe klubin e Luftëtarit, duke i hequr të drejtën të kryejë transferim lojtarësh gjatë merkatos së janarit të këtij viti.

Në krahasim me skuadrën e Flamurtarit, klubi gjirokastrit ka marrë një dënim më të lehtë. Kjo është një goditje tjetër e rëndë ndaj klubeve shqiptare pas dënimit të Skënderbeut nga UEFA për trukim ndeshjesh. Ndërkohë, të dy klubet do të duhet të marrin vetëm lojtarë nga akademitë e tyre të futbollit gjatë kohës që është në fuqi pezullimi për kryerjen e merkatos.  

Teuta e mbyll me nder vitin, Flamurtari drejt greminës

Ndeshja e ndërprerë të dielën për shkak të shiut mes Flamurtarit dhe Teutës është luajtur të hënën. Skuadra durrsake doli me tre pikë nga fusha vlonjate, duke e mbyllur vitin me sukses, ndërsa Flamurtari me bilanc negativ.

Të besuarit e trajnerit Edi Martini fituan bindshëm me rezultatin 1-3. Skuadra e Teutës kaloi në avantazh me Emiljano Vilën në të 33`, ndërsa në të 47` Vila dyfishoi rezultatin për Teutën. Sherif Kallaku tregoishoi në të 65` me një gol të bukur nga jashtë zone duke siguruar fitoren për skuadrën e Teutës.

Megjithatë, Flamurtari shënoi golin e nderit me anë të Ribaj në të 89`, por pa mundur të ndryshojë fatet e ndeshjes. Teuta shkon 28 pikë dhe mban vendin e pestë në renditje, duke u barazuar me pikë me Tiranën dhe Partizanin.

Ndërsa Flamurtari ndodhet në vendin e fundit në renditje me 6 pikë duke shuar pothuajse të gjitha shpresat për mbijetesë në Superligë.

Laçi afrohet me kreun, Flamurtari vijon të zhytet

Me Armando Cungun në krye, Laçi është rikthyer përsëri me grintën që e karakterizon. Ekipi kurbinas bëri një ndeshje tjetër të mirë këtë javë, duke mundur Flamurtarin me rezultatin e pastër 3-0. Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë të lojës. I pari u shënuan nga Shehu në të 48`. Në të  59` i zakonshmi Nuabueze gjeti rrjetën nga pika e bardhë e penalltisë, duke dyfishuar shifrat për Laçin.

Por skuadra e trajnerit Cungu nuk u mjaftua me kaq. Shtatë minuta para përfundimit të ndeshjes Teco gjeti rrjetën duke shënuar golin e tretë për Laçin. Kështu, skuadra kurbinase afrohet me vendet e kreut pasi shkon në vendin e katërt në renditje me 22 pikë, 3 më pak se Partizani që mban vendin e parë.

Ndërkohë, Flamurtari duket i pashpresë, madje ekipi vlonjat duket se nuk do të konsiderohet më një kundërshtar për asnjë nga ekipet e tjera të Superligës për këë sezon. Të paktën deri tani, përshtypja është kjo, e konfirmuar dhe nga statistikat.

Flamurtari ndodhet në vendin e fundit në renditje me vetëm 5 pikë, të gjitha të fituara nga barazime, ndërsa numëron 9 humbje dhe asnjë fitore. Mbijetesa duket një mision i vështirë edhe nëse në merkaton e janarit do të ketë ndryshime në skuadër.

Kukësi fundos Flamurtarin dhe sheh kreun

Kukësi mundi Flamurtarin të dielën pasdite në takimin e javës së 11-të të Superligës. Mjaftoi një gol i shënuar në pjesën e dytë nga Daku, për tre pikët e skuadrës verilindore. Ndeshja e luajtur në “mërgim” në stadiumin e Lushnjës, nisi mirë për skuadrën verilindore që kërkoi golin që në fillim të saj, por planet i prishi Kristal Abazaj që u dëmtua në minutën e gjashtë të takimit.

Sulmuesi anësor nuk ia doli, ndaj në të 10` u largua nga fusha e lojës, ndërsa vendin e tij e zuri Blerim Kotobelli. Flamurtari tenton të jetë agresiv, duke provuar me Sukajn e Ribajn, por rrezikun e shuan mbrojtja e skuadrës së Shpëtim Duros. Megjithatë, pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola, me të dyja skuadrat që luajtën mirë dhe të përqëndruara.

Ndërkohë, në pjesën e dytë, skuadra e Duros kërkon golin me çdokusht. Në të 57`, Kukësi fiton një faull pranë zonës kundërshtare. Harkimi i topit nga e majta gjen Dakun në shtyllën e dytë, i cili dërgon topin në rrjetë.

Kukësi kalon në avantazh 1-0, por vlonjatët tentojnë deri në fund për të gjetur golin e barazimit, por pafat. Me tre pikët e fituara të dielën, Kukësi ngjitet përkohësisht në vendin e dytë me 18 pikë, ndërsa Flamurtari duket se nuk do të ketë më shpëtim, pasi ndodhet në vendin e fundit me 3 pikë në 11 javë.

Dy pikë në 9 javë, Flamurtari shkarkon trajnerin

Flamurtari është në krizë të thellë këtë sezon. Skuadra vlonjate njoftoi të enjten paradite se ndërpreu bashkëpunimin me trajnerin Dritan Sadedini.

 Shkak i këtij vendimi të klubit vlonjat janë rezultatet e dobëta të fazës së parë të kampionatit.

Megjithatë, Dritan Sadedini do te vazhdoj të jetë pjese e stafit teknik te ekipit.

Flamurtari mori vetëm dy pikë në nëntë javët e para të Superligës, duke shënuar rezultatet më të dobëta në vitet e fundit.

Skuadra e Flamurtarit pësoi ndryshime të mëdha këtë sezon duke reformuar gjithë skuadrën.

 Klubi bëri pak blerje të bujshme, ndërsa në radhët e ekipit të parë u afruan shumë lojtarë të rinj nga akademia. Ndërkohë, klubi vlonjat nuk jep të dhëna se kush do të jetë trajneri i parë i ekipit.

Disiplina rrëzon Tiranën. Gjobitet Flamurtari

Komisioni i Disiplinës Sportive në Federatën Shqiptare të Futbollit rrëzoi kërkesën e Tiranës për të fituar tre pikë në tavolinë të ndeshjes kundër Flamurtarit, luajtur në fundjavë.

Klubi bardheblu, kërkoi nga Disiplina dënimin e Flamurtarit, pasi në ndeshjen e javës së shtatë të kampionatit, skuadra vlonjate bëri një gabim në protokollin e ndeshjes, pasi u aktivizua një futbollist që nuk ishte shënuar në protokoll. Për këtë arsye, Tirana kërkoi tre pikë në tavolinë, për ndeshjen që përfundoi në barazim 2-2.

“Rrëzimi i kërkesës së KF “Tirana” si të pa bazuar në Rregulloren e Veprimtarisë Futbollistike, për sezonin 2019/2020”, shkruan disiplina në vendimin e publikuar të enjten. Ndërkohë, klubi i Flamurtarit për këtë gabim, duke shënuar me vonesë emrin e Muçollarit, është dënuar me 30.000 mijë lekë gjobë. 

“Flamurtari FC, për mos riprodhim të formularit të ekipit sipas Nenit 114/2 të Rregullores se Veprimtarise futbollistike të Kategorisë Superiore, dënohet me gjobë në masën 30.000 (tridhjetëmijë) lek”, thotë Komisioni i Disiplinës në FSHF.

Këto janë dy vendimet e vetme për ekipet e Superligës nga Komisioni i Disiplinës për javën e 7-të të kampionatit. Për Kategorinë e Parë, klubi i Devollit është dënuar me gjobë prej 50.000 lekësh për shkak ë sjelljes së gabuar të tifozëve, ndërsa klubi do të paguajë vetëm gjysmën e vlerës së gjobës. Gjithashtu, Disiplina dënoi me 8 ndeshje pezullim zëvendës trajnerin e klubit të Kastriotit, Gëzim Rama, për sjellje jo sportive ndaj arbitrit.

Skënderbeu merr kreun. Ndalet Tirana e Partizani

Tirana nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 ndaj Flamurtarit, në takimin e javës së 7-të të kampionatit, që vinte fill pas derbit. Bardheblutë e nisën mirë takimin, me Hasanin që gjeti rrjetën vetëm pas katër minutash lojë. por, goli i sulmuesit bardheblu, u pasua nga një autogol i Ngoo. Sulmuesi anglez realizoi në portën e Ilion Likës në të 13` duke vendosur barazpeshën në fushën e lojës. Megjithatë, Hasasni mendoi për rikthimin e avantazhit në të 38`.

Me avantazhin 1-2, Tirana mendoi se e fioi ndeshjen, por vlonjatët surprizuan në të 90+2`, kur Ardit Hoxhaj realizoi golin e barazimit për Flamurtarit. Kjo ishte pika e dytë për këtë sezon për skuadrën vlonjate, ndërsa Tirana shkon në kuotën e 11 pikëve. Në takimin tjetër të së shtunës, Partizani dhe Teuta ndanë gjithashtu ndanë nga një pikë mes tyre. Avdyli kaloi Teutën në avantazh në të 37`, ndërsa Trashi shënoi në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë për Partizanin.

Skënderbeu është rikthyer te fitorja në kampionat, pasi mundi Luftëtarin 2-0. Të dy golat e fitores së korçarëve u shënuan në kohën shtesë, nga Dita dhe Muja në të (90+3` dhe 90+3`). Tre pikët e të shtunës, e ngjisin Skënderbeun në vendin e parë në renditje me 12 pikë, po aq sa Teuta që mban vendin e dytë. Ndërkohë, Partizani ndodhet në vendin e tretë me 11 pikë, po aq sa Tirana dhe Bylis, që ndajnë vendin e katërt dhe të pestë.

Superliga, ditë barazimesh

Janë luajtur të dielën dy ndeshjet e radhës të Superligës të vlefshme për javën e pestë të kampionatit. Flamurtari ka “shpërthyer” në gola por ka dalë vetëm me një pikë nga fusha e tij, pasi barazoi 3-3 me Laçin. Ishte Denis Pjeshka ai që hapi serinë e gjashtë golave në Vlorë. Në minutën e 28, Pjeshka zhbllokon rezultatin për Flamurtarin, ndërsa në të 39` Xhixha ka barazuar për kurbinasit.

Megjithatë, në fund të pjesës së parë, Xhevair Sukaj gjen përsëri rrjetën duke rikthyer vlonjatët në avantazh, të cilët shkojnë në pushimin e pjesës së parë të qetë. Në të dytën loja flet për miqtë. Në të 64`, Laçi barazon me Teco, ndërsa tre minuta më vonë Nuabueze shënon dhe golin e avantazhit për kurbinasit.

Por pavarësisht kësaj, Flamurtari nuk dorëzohet, pesë minuta para përfundimit të ndeshjes Haruni gjen rrjetën për vlonjatët, duke vendosur dhe takimin në shifrat 3-3. Për Flamurtarin kjo është pika e parë e kampionatit pas pesë javësh, ndërkohë që Laçi ngjitet në vendin e tetë të renditjes me 5 pikë, 1 më shumë se Luftëtari.

Ndërkohë në sfidën tjetër të kësaj jave, Vllaznia ka barazuar 0-0 në shtëpi me Luftëtarin, duke ndarë nga një pikë mes tyre. Ka qenë një pikë me shumë vlerë në fakt për gjirokastritët, që prej dy javësh janë rikthyer te rezultatet pozitive, ndërsa Vllaznia humbi një shans për të shkuar në mesin e tabelës. Pas ndeshjes të së dielës, shkodranët ndodhen në vendin e 7 të renditjes me 6 pikë ndërsa Luftëtari ndodhet në vendin e 9 me 4 pikë.

Flamurtari dhe atmosfera te Partizani, Lerda: Respekt për vlonjatët, ka pozitivitet në ekip

Trajneri i Partizanit, Franko Lerda ka folur në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes me Flamurtarin. Tekniku i të kuqve është shprehur se objektivi i skuadrës është të mbetet në të njëjtat nivele si një vit më parë. “Objektivi ynë është të bëjmë të mbetemi në të njëjtat nivele si në sezonin e kaluar. Është një tjetër sezon ndryshe, një kampionat ndryshe lojtarë të tjerë si te Partizani ashtu edhe në ekipet e tjera, skuadrat kanë ndryshuar. Mendoj që dy rezultatet e ndeshjeve që kemi luajtur nuk mund të jenë tregues për vazhdimësinë tonë në kampionat”, ka thënë Lerda.

Ndonëse nuk është në një moment të mirë, Lerda shprehet se Flamurtari duhet respektuar si çdo kundërshtar tjetër, ndërsa tregon se për titullin është ende herët për të folur. “Në duhet të mendojmë për veten dhe projektin tonë, duke respektuar maksimalisht çdo kundërshtar. Ka kundërshtar me shume kualitete dhe të tjerë me pak kualitete, por ajo që bën diferencën është sjellja jonë. Ne duhet ti respektojmë të gjithë, por të mendojmë atë që duhet të japim në dhe të perpiqemi ta bëjmë gjithnjë e më mirë. E kam deklaruar edhe në konferencën e mëparshme, që është ende shpejt duhet pritur të paktën përfundimin e fazës së parë të kampionatit”, ka thën trajneri italian i Partizanit.

Në fund ai ka folur edhe për problemet brenda skuadrës. Tekniku ka treguar se me Melon nuk ka ndodhur asgjë, duke dashur të shpreh optimizëm, ndërkohë që Solomon do të jetë në dispozicion të skuadrës, pasi ka shlyer financiarisht pezullimin me dy ndeshje që i dha Komisioni i Disiplinës. “Nuk e di çfarë është shkruar, pasi nuk i lexoj gazetat. Nuk ka ndodhur asgjë. Nëse kanë përcjell një informacion të tillë mendoj se janë gabuar pasi nuk ka ndodhur asgjë dhe ambjenti në skuadër është shumë pozitiv. Solomon do të jetë i gatshëm pasi vetë lojtari ka shlyer financiarisht pjesën e mbetur të pezullimit”, ka thënë trajneri.

Sadedini motivon lojtarët si ‘lab’ para Kukësit: Ne jemi Flamurtari

Flamurtari është pa shumë pretendime këtë sezon. Ndonëse kampionati ka nisur, skuadra vlonjate vijon ende merkaton, me lojtar të rinj që prezantohen çdo ditë. Kjo do të thotë se grupi ende nuk është konsoliduar dhe do t`i duhet kohë për të gjetur formën e duhur. Megjithatë, trajneri i vlonjatëve, Dritan Sadedini, në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes me Kukësin, Sadedini shprehet se skuadra është e ngarkuar, ndërsa shpreh keqardhjen për humbjen në Korçë. “Janë 3 ndeshje në 10 ditë ose në një javë dhe normale që për Flamurtarin ndihet ngarkesa por shpresoj që me punë t’i përballojmë me sukses. Më shumë se i keq-ardhur, më vjen keq për çunat që dolën pa pikë me atë mund. Ndeshja ishte e barabartë dhe e meritonim një pikë”.

Kukësi është një rivalë i fortë, megjithatë Sadedini nuk tembet, dhe kërkon t`i japë kurajo ekipit, duke përmendur emrin e madh të “Flamurtarit”. ‘Ndeshja ka vlerat e veta por ne do të mundohemi t’i bëjmë ballë çdo ekipi. Nuk duhet harruar që jemi Flamurtari dhe kemi emrin tonë. Zeqaj është mungesë që duhet të ishte në ekip. Ekipi është i formatuar por shpresoj që çunat të japin më të mirën në fushë”, ka thënë Sadedini.

Në fund, Dritan Sadedini ka folur edhe për afrimet e reja dhe Xhevari Sukajn. Për shkodranin, trajneri vlonjat shprehet se nuk është gati, ndërsa shpreson që nga lojtarët e afruar së fundi, të aktivizohet ndonjë prej tyre. “Nuk ka mungesa të tjera, pasi ekipi po riformatohet mirë. Shpresoj të dalë më e mira me Kukësin. Sukaj ende nuk është gati pasi ka pasur probleme me kaviljen. Ka pasur afrime dhe duke parë gjendjen e tyre, shpresoj të luajë ndonjëri”, tha Sadedini.

Skip to toolbar