Partia Demokratike ka kërkuar që anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të dalin para drejtësisë dhe të shkojnë në burg për shpërdorim detyre ose të pranojnë se po gënjejnë për llogari të Edi Ramës. Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso deklaroi se KQZ gënjen në lidhje me fletët e votimit të 30 qershorit, sidomos në Vaun e Dejës ku votimet u kryen me fletë votimi të falsifikuara.
“Pretendimi i doganave dhe Komisionit Qendror të Vjedhjeve, 3 ditë pas denoncimit të skandalit, se sistemi doganor ditën e mbërritjes së fletëve të votimit për Vaun e Dejës, nuk ka funksionuar, është një alibi qesharake dhe mjerane. Dokumenti zyrtar doganor provon se fletët e votimit kanë qenë akoma në doganë në orën 8 të mëngjesit të datës 30 Qershor, ndërsa votimi në Vaun e Dejës ishte deklaruar i hapur një orë më parë, në orën 7 të mëngjesit.” – tha Koso
Kaso tha se alibia qesharake e KQZ-së se natën e ardhjes së fletëve të votimit nuk ka punuar sistemi doganor, rrëzohet nga dokumenti zyrtar i dalë nga vetë sistemi i doganave, ku shkruhet se fletët e votimit në orën 8 të mëngjesit ishin akoma në doganë.
“Çdo letër tjetër, e prodhuar me dorë për llogari të propagandës së Edi Ramës, 3 ditë pas denoncimit të skandalit, vetëm sa e thellon skandalin. Ajo provon se në këto votime, Komisioni Qendror i Vjedhjeve ka vepruar si organizatë kriminale. Gënjeshtra e KQZ-së del akoma më zbuluar, kur thotë se fletët e votimit janë porositur në 27 Qershor dhe janë prodhuar paraditen e 28 Qershorit. Në këtë rast 4 anëtarët e KQZ-së duhet të pranojnë se ose janë duke mashtruar, ose kanë shpërdoruar në mënyrë flagrante detyrën. Ky është vendimi i KQZ-së i datës 28 Qershor, sipas të cilit urdhri për prodhimin e fletëve të reja të votimit për Vaun e Dejës është marrë në orën 6 të pasdites.” – thotë Kaso
Pak më herët, gjatë ditës së hënë KQZ tha në një deklaratë për mediat se fletët e votimit u printuan në Slloveni në datën 29 qershor, dhe janë sjellë në Shqipëri në orët e para të mëngjesit të datës 30 qershor, duke u shpërndarë më pas në Qendrat e Votimit.