Meta sqaron takimin me Alex Soros

AKTUALITET


Dy ditë pasi priti në zyrë djalin e George Soros, Aleksandër Soros, takim për të cilin u kritikua shumë, duke marrë shkas nga akuzat e tij të forta ndaj miliarderit amerikan, Ilir Meta ka bërë një reagim publik në lidhje me arsyet e këtij takimi. Meta shprehet se kërkesa për takimin ka qenë e “Fondacionit Soros”, pas akuzave publike për rolin e këtij fondacioni në kapjen e drejtësisë së re nga Kryeministër.

“Unë nuk i di arsyet e vizitës së z.Soros në Tiranë, dhe as kam pyetur për to, pasi Shqipëria është e hapur për t’u vizituar nga të gjithë. Ajo që di është se nga muaji korrik kur unë bëra publike disa akuza për rolin e Fondacionit “Shoqëria e hapur” për kapjen e drejtësisë së re nga Kryeministri, ka patur disa kërkesa zyrtare për takim nga përfaqësues të këtij Fondacioni, në veçanti për të sqaruar pozicionin e tyre lidhur me Reformën në Drejtësi”, thotë Meta.

Por, kreu i shtetit ka bërë një tërheqje në lidhje me akuzat e ngritura gjatë verës. Nga deklarata e të dielës, Meta shprehet se “ajo që di është se nga muaji korrik kur unë bëra publike disa akuza për rolin e Fondacionit “Shoqëria e hapur” për kapjen e drejtësisë së re nga Kryeministri”, duke deklaruar se akuzat ishin ndaj fondacionit, dhe jo George Soros direkt. Por, në të vërtetë, Meta iu drejtua në akuzat e tij në korrik, miliarderit amerikan dhe të birit, për të cilin u shpreh se viziton shpesh Tiranën. “Kam dy fjalë edhe për Sorosin; i them Sorosit t`i gëzojë miliardat e veta. Shqipëria është vend i vogël për përmasat e tij. Të vazhdojë punën dhe të investojë në tregjet e mëdha, se Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit është President i Shqipërisë dhe do i dalë për Zot Shqipërisë. Është i racës së Avni Rustemit”, tha ndër të tjera Meta kur e akuzoi drejtpërdrejt George Soros për ndikimin e tij te Reforma në Drejtësi. Megjithatë, pas takimit me djalin e miliarderit amerikan, ai duket se ka ndryshuar qëndrim dhe është zbutur në akuzat e tij.

Më tej, ai sqaron se nëse nuk do e kishte pritur Aleks Soros në takim, “do të ishte jo etike nga ana e tij”. Meta shprehet se “shmangiet dhe gënjeshtrat nuk jaën në karakterin e tij”. Lidhur me temat e diskutuara në takim, Meta thotë se foli për katër tema, jo tre siç njoftoi zëdhënësi i tij në deklaratën për shtyp.

“Takimi është bërë me kërkesë zyrtare dhe ka qenë zyrtar. Tema e të ashtuquajturit “Mini-Shengen” nuk ka ekzistuar në takim. Tre temat që unë jam përqëndruar kanë qenë kapja e drejtësisë nga Kryeministri, përkeqësimi i lirisë së medias dhe të lirisë së shprehjes, dhe gjallërimi i shoqërisë civile në vend kundër shkeljes së të drejtave të njeriut dhe dhunimit të vlerave të demokracisë. E vetmja temë që nuk u përmend nga Zëdhënësi im ishte ajo e menaxhimit të pasojave të tërmetit”, thotë Meta.

Në fund, duke përmendur dhe njëherë qëndrimin e tij për Mini-Shegenin, “se çdo iniciativë rajonale është e dobishme kur është gjithëpërfshirëse e jo përjashtuese, kur udhëhiqet nga partneriteti dhe jo paternalizmi, kur sjell kohezion dhe jo konfuzion, e aq më tepër përçarje”, Meta thotë se asnjë takim i tij nuk e ndryshon axhendën për “sovranitetin”.

“Asnjë takim nuk e ndryshon axhendën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe përkushtimin e Tij për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve shqiptarë përmes garantimit të zbatimit të referendumit si e drejtë kushtetuese. Shqipëria e para, Shqipëria në Bashkimin Europian”, thotë Meta.

Kujtojmë se në muajin korrik, Ilir Meta akuzoi Geroge Soros për “deep state”. Fondacioni “Soros” është një nga donatorët dhe mbështetësit e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Gjithashtu, ky fondacion dhe familja Soros, ishin nga të parët që reaguan për tërmetin e 26 nëntorit, duke shprehur mbështetjen me dhurimin e rreth 500 mijë dollarëve për rindërtimin. Meta pranon se është folur dhe për këtë temë, por ajo nuk u bë publike të shtunën nga zëdhënësi i tij, Tedi Blushi.



Skip to toolbar