Vrasja e komshiut, burg 18-vjeçarit

AKTUALITET


Gjykata e Korçës vendosi masën “arrest në burg” për shtetasin Devis Hoti, i cili akuzohet për vrasjen e shtetasit Flamur Duçi, ngjarje e ndodhur katër ditë më parë në fshatin Mborje të Korçës. Flamur Duçi u gjet i vrarë në një lokal ku ushtronte një aktivitet biznesi.

Gjatë ekzaminimit të trupit, atij ju gjet një shenjë afër zemrës e cila dyshohet se i ishte bërë me thikë. Gjithashtu, autorët kishin tentuar të digjnin trupin e tij. Për ngjarjen e rëndë, policia ndaloi 18-vjeçarin Devis Hoti.


Viktima dhe Hoti ishin komshinj në fshatin Mborje. Familjarët e Devis Hotit mohuan krimin, por gjatë një përgjimi ambiental me një të afërm, në qelinë e paraburgimit, policia ngriti dyshime të forta se Devis Hoti është autor i ngjarjes.

Gjatë përgjimit, 18-vjeçari i jepte udhëzime xhaxhait të tij se çfarë duhet të deklaronte në polici. Ndërkohë, autori ishte më herë i dënuar për “plagosje me dashje”. Dyshimet e grupit hetimor lidhen me tentativën e vjedhjes së lokalit të shtetasit Flamur Duçi nga i riu Devis Hoti.

Por, viktima bëri rezistencë duke u përleshur me autorin, pasi 18-vjeçarit i janë gjetur shenja goditje në trup. Por ai ka mohuar duke u shprehur se shenjat i ishin bërë kohë më parë nga përplasja në një mur në fshat. Megjithatë, i riu do të vijojë të qëndrojë në burg deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të së vërtetës.




Skip to toolbar