Demi inspekton stadiumin e Partizanit: Kur do jetë gati

AKTUALITET


Kampionët e vendit në fuqi, Partizani, do të luajnë vitin e ardhshëm në stadiumin e tyre. Ky është lajmi që jep klubi i kuq këtë të premte, pas inspektimit të punimeve të stadiumit nga presidenti i Klubit Gazmend Demi.

“Presidenti Gazment Demi ndjek nga afër ecurinë e punimeve të stadiumit, në kompleksin e Klubit të Futbollit Partizani. Aktualisht po përfundojnë betonimet e Tribunës ballore. Po vijon puna për instalimet dhe pajisjet e Tribunës qëndrore, si edhe konstruksionet dhe mbulesa e të dyja tribunave të stadiumit. Punimet po vijojnë me intensitet të lartë dhe në fazën e tretë të kampionatit stadiumi do të jetë gati për të mirëpritur Kampionët e vendit”, shkruhet në një njoftim të klubit.

Ky është një lajm i madh për tifozët e Partizanit, që prej vitesh presin të ndjekin ekipin e zemrës në stadiumin e tyre. Impianti i ri i Partizanit do të ketë rreth 5 mijë vende. Stadiumi do të përbehet nga dy tribuna kryesore. Ajo VIP dhe ajo përballë saj.

Ndërkohë, si pjesë e këtij projekti është dhe një hotel për lojtarët si dhe disa fusha stërvitore për ekipin e parë dhe akademitë. Të dyja tribunat do të jenë të mbuluara.

Stadiumi i ri i Partizanit do të ketë të gjitha shërbimet që kërkon UEFA për licencim. Këto pritet të respektohen me rigorozitet, ndërkohë që të kuqtë do të luajnë aty jo vetëm ndeshjet e kampionatit por edhe ato në garat ndërkombëtare.



Skip to toolbar