Olsi Rama: Ka qenë fat që kam punuar me Gaz Demin, secili bëri atë që i takonte

SPORT


Olsi Rama është një nga hallkat kyçe të suksesit të këtij sezoni për Partizanin. Merkato, trajneri, shuarja e polemikave, disiplina dhe rregulli janë disa nga meritat kryesore të drejtorit sportiv të Partizanit gjatë këtij sezoni, duke e rikthyer klubin në fronin e fitimtarëve këtë sezon. Pas ndeshjes dhe marrjes në dorëzim të titullit kampion, numri dy i klubit të kuq ka folur për mediat duke analizuar gjithçka.

Trofeu për ju…


E kam ngritur një trofe në basketboll dhe ky është trofeu i dytë. Kënaqësi e veçantë, pasi kam kontribuuar me përulësi në shtëpinë e një mikut tim, për të ndihmuar në rikthimin e titullit te Partizani, pas shumë viteve.

Rrugëtimi i Partizanit…

Ka qenë një fat që kam punuar me Gaz Demin, miku im dhe presidenti i Partizanit. Ka qenë fat që kam punuar me Skënder Gegën dhe stafin e tij, por edhe me këta djem të mrekullueshëm. Ne vendosëm që të bënte gjithsecili detyrën që i takonte, por ndonjëherë edhe më tepër, gjithmonë duke shtuar dozën e profesionalizmit. Ky ishte edhe synimi ynë i vërtetë, por për fat të mirë ia dolëm të marrim edhe titullin në fund. Shpresoj të kemi ndërtuar një bazë për të ardhmen dhe të arrijmë edhe më shumë suksese.

Deklaratat e Dukës se “Partizani e fitoi vetë titullin?”

Unë nuk bëj polemika me askënd. Edhe vetë si tip jam i tillë. Qëllimi i Partizanit nuk ka qenë që të krijojë polemika, dhe synimi im ka qenë të mbajmë preisonin larg ekipit. Lojtarët kanë qenë më të qetë, dhe kështu kanë ardhur dhe rezultatet që duhej të vinin. Partizani nuk ka për synim që të bëjë polemika.

Partizani evropian?

Ekipi merr pushimet tashmë, të cilat i meriton plotësisht, pasi kanë kaluar një periudhë vërtetë të ngarkuar. Duhet që djemtë të shkojnë pranë familjeve, për t’u çliruar si fizikisht, ashtu edhe psikologjikisht dhe për të qenë gati për sezonin e ardhshëm. Pjesën e përforcimit të skuadrës ne e kemi në konsideratë çdo ditë, por tani është moment më “i nxehtë” dhe shpresoj që të marrim vendimet e duhura. Unë nuk do të përqendrohem për të ndërtuar një Partizan vetëm për Europën, por dua të sjell elementë që të mund të bëhen pjesë integrale e ekipit dhe të na shërbejë si në garat europiane, ashtu edhe sezonin e ardhshëm.




Skip to toolbar