Veliaj nuk heq dorë: Do ndërtojmë një teatër që vlen minimalisht 30 mln euro

AKTUALITET


Tirana do të ketë teatrin e ri Kombëtar që do të jetë unik duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për aktorët, ashtu edhe për vetë publikun. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se sikurse stadiumi i ri kombëtar, Tirana meriton që të ketë edhe një teatër të ri që plotëson nevojat e komunitetit.

“Aplikojmë në këtë buxhet edhe koston dhe tarifën e konsulentit për teatrin e ri. Të mos ketë asnjeri iluzione, teatri i ri do bëhet! Ne do japim parkingun e Bashkisë, komplet i pavlerë siç e patë në inspektimin që u bë, ai parking që është komplet një landfill dhe një pocaqi aty dhe në shkëmbim të një prone që shumica as nuk e ka parë se nuk ka pikë vlere; do marrim një teatër që vlen minimalisht 30 milionë euro. Nëse është dikush më i aftë, i vetmi më i aftë për të bërë një punë të tillë ka qenë kryeministri që dha prapë një zgëqe “Qemal Stafën” dhe sot po del një bizhu për Tiranën. Nuk ka asnjë arsye pse të mos e replikojmë. Atyre që po lodhen tek teatri, u them: Ruajini energjitë se ne do i bëjmë gjërat sipas procedurave, donit garë, garë bëmë! Donit komision, komision bëmë, donit sipas BE, pavarësisht se na e la tek dera, prapë sipas BE, por tani që i respektuam të gjitha teatri do bëhet. Thjesht ju them: Mos harxhoni kohë se ne do i bëjmë të gjitha procedurat dhe nuk do e prishim fshehurazi. Kur të nisë ndërtimi i teatrit të ri do ndodhë në një ditë me diell, për të filluar një punë të mirë për Tiranën, që vitin tjetër mbush 100 vjeç dhe nuk ka nevojë që shekullin e dytë të vetin ta jetojë tek teatri i shekullit të parë, por duhet të ketë një teatër të ri”, tha Veliaj në mbledhjen e këshillit bashkiak


Ndërkohë çështja e teatrit tani është në dorën e Gjykatës Kushtetuese për shkak të një ankimimi të bërë nga presidenti Meta i cili kërkoi që të mos shembet teatri i vjetër kombëtar.




Skip to toolbar