Frrokaj shpërthen ndaj bojkotit të PD: Shumica pret plan B nga Basha

POLITIKË


Kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, i cili është nën hetim për abuzimet me bregdetin e Shëngjinit, ka shpërthyer ndaj aksionit opozitar dhe bojkotit të zgjedhjeve të 30 qershorit, sidomos për këshillat bashkiakë, duke dalë hapur kundër vendimit të PD për bllokimin e bashkive dhe duke treguar zhgënjimin, jo vetëm të tij, por siç shprehet në reagim të shumicës që po presin një plan B nga kreu i PD, Lulzim Basha.

Në një prononcim për mediat të martën, Frrokaj ka deklaruar se është kundër mbajtjes me dhunë të bashkisë dhe protestave ndaj kryetarëve të zgjedhur, duke shprehur hapur se ai do e lëshonte zyrën për pasardhësin Pjerin Ndreu, i cili pritet të betohet të mërkurën. Po ashtu, ai ka shprehur hapur kundërshtitë ndaj vendimeve të PD, megjithëse ai thotë se gjithmonë do i respektojë.

“Sa i përket protestave, nuk kam ndërmend të bëj protesta. Edhe më herët kam deklaruar se jam munduar të jem kryetar si për të majtë dhe të djathtë. Kam 16 vite dhe nuk i baltos, nuk kam ndërmend të nxis turma të ekzaltuar kundër këtij apo atij. Unë do të uroj mbarëvajtje bashkisë. Sa i përket degës së PD në Lezhë është një çështje tjetër, ata kanë të drejtë reagojnë në format e tyre. Nuk jam kryetar i partisë, unë jam kryetari i Bashkisë. Shqipëria nuk e meriton pas 30 vitesh të jetë në këtë situatë”, tha Fran Frrokaj.

Gjithsesi, ai thotë se ai vetë besoj te lideri demokrat se do të ketë një plan dhe se nuk ka braktisur shqiptarët, megjithatë, sipas tij, të gjithë presin një plan B nga Basha, ndërsa kritikon që të paktën Partia Demokratike duhet të ishte regjistruar për këshillat bashkiak.

“Unë jo rrallë herë e them, që nuk është braktisje e shqiptarëve, nuk është qameti që humbëm ca bashki. Ajo që është skandaloze është humbja e këshillave, që është më shumë sesa humbja e kryetarëve. Në shumë bashki, ne nuk e kemi pasur kryetarin, por qytetarët kanë pasur përfaqësi në këshill. Tashmë ne nuk kemi përfaqësi dhe kjo është skandaloze. Gjithsesi nuk është vendim që varet nga unë, por është vendim që varet nga strukturat e PD”, u shpreh Frrokaj, duke larguar nga vetja përgjegjësinë për vendimin e marrë nga strukturat e opozitës.

Frrokaj është i pari kryebashkiak i djathtë, i cili ka kritikuar aksionin opozitar për bojkotimin e 30 qershorit, megjithëse e ka respektuar atë. Ky vendim i Frrokajt duket se vjen pikërisht pas braktisjes që PD po u bën ish kryetarëve të Bashkisë, që i ka braktisur në kauzën për moslëshimin e bashkive. Braktisja u vu re sidomos në Kamzë, ku Mziu, pavarësisht se nuk e lëshoi bashkinë fillimisht, duke tentuar ta mbajë me punonjësit e vet, pas orarit zyrtar u tërhoq, pasi nuk pati asnjë mbështetje nga selia blu. Madje, Basha u kujtua vetëm në mbrëmje për të sulmuar konstituimin e këshillit bashkiak të Kamzës dhe betimin e kryetarit të ri. Ndërkohë, ky reagim i Frrokajt është edhe një zhgënjim i shumë kryerbashkiakëve të djathtë, të cilët u detyruan të respektojnë vendimin politik të PD, por që tashmë duken të penduar dhe që po presin lëvizjen e radhës të Bashës. Madje, për këtë dështim është paralajmëruar edhe krijimi i lëvizjes “Basha ik” nga eksponentë të rëndësishëm demokratë, që tashmë, ashtu siç u paralajmërua nga real Story, duket se do i bashkohen edhe kryebashkiakët e zhgënjyer.



Skip to toolbar