“Basha ik”: Lëvizja shton emra të tjerë

#NËRADAR


Realstory.al lajmëroi në një shkrim exclusiv se në shtator, pritet të ketë një reagim të fortë brenda të djathtës, e cila do të kthehet në një lëvizje “Basha ik”. Në shkrimin e realstory.al (lexo këtu), emrat e parë që pritet të bashkohen në këtë nismë, do të jetë Jozefina Topalli, Arben Imami, Edit Harxhi, Edvin Kulluri dhe shumë të tjerë. Të gjithë emrat e më sipërm, më herët kanë shprehur qëndrimin e tyre kritik kundër Lulzim Bashës, duke dhënë kështu shenjat e para të lëvizjes “Basha ik”, që sipas burimeve tona, pritet të marrë jetë në fillim të shtatorit. Realstory.al ka mësuar se pjesë e kësaj lëvizje do t’i shtohen emra të rinj, pjesë e të cilës janë edhe ish-drejtues të tjerë të lartë të Partisë Demokratike, ish-ministra dhe deputet në kabinetin e Berishës.

Ata janë ish-drejtues në nivele ministrash, deputet apo drejtues në nivel vendor të Partisë Demokratike, gjatë kohës që kjo forcë është drejtuar nga Sali Berisha. Arben Ristani (ish-deputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i PD), Ibsen Elezi, Keltis Kruja (ish-deputet i PD), Sherefedin Shehi (ish-deputet dhe kandidat i bashkisë Dibër për PD), Myqerem Tafaj (ish-ministër i Arsimit në kabinetin Berisha), apo Bislim Ahmetaj dhe Genti Minarolli.   


Fillimisht, i kontaktuar nga RealStory.al, Ristani tha se është ende në fazë bisedash dhe ende nuk ka një vendimmarrje, por të premten me një status në rrjetet sociale Ristani e bëri publik faktin duke konfirmuar se ka një lëvizje brenda bazës dhe se në shtator “Basha Ik’ do të bëhet një lëvizje reale. Pas kritikave që i bëri sërish kryedemokratit Basha për mos pasjen e një strategjie për arritjen e një fitore, Ristani thotë se kjo gjë duhet të diskutohet mes demokratëve se çfarë do të bëjnë dhe se me kë do e bëjnë që PD të arrijë fitoret e saj. “Ta bisedojmë edhe një herë me demokratët çfarë do bëjmë, si do e bëjmë, me kë do e bëjmë, kur do e bëjmë, të jetë e gjitha transparente dhe gjithëpërfshirëse dhe me vullnet dhe dëshirë, ta bëjmë betejën për Shqipërinë europiane.”- shkruan Ristani në Facebook.

Ibsen Elezi , një prej anëtarëve që pritet të jetë pjesë e rëndësishme e kësaj lëvizje, i tha Realstory.al, se “ne do dalim dhe me dokument, kemi dalë njëherë me “lëvizjen për shpëtimin e PD-së”, në 2018 që firmosën rreth 2000 anëtar. Tani do shkojmë në rrethe (në bazë) dhe do kërkojmë proces zgjedhor të hapur për të ballafaquar pikëpamjet”.

Një nga emrat që pritet t`i bashkohet kësaj lëvizje por nuk ka dashur të bëhet ende publik, i tha Realstory.al, se është duke u diskutuar rreth kësaj nisme, por ende nuk është krijuar një platformë konkrete. “Kjo nuk është situatë e re. Ne kemi shprehur mendimet tona shumë herët. Unë nuk jam angazhuar publikisht shumë këtë periudhë, pasi kam dashur të shoh se çfarë do ndodhë. Sigurisht që diskutojmë, është pjesa e jona, por as nuk kemi ravijëzuar as kemi rakorduar ndonjë gjë të saktë. Na shqetëson situata, dhe unë kam rezervuar që ta shpreh qëndrimin tim në një moment të dytë. Normalisht ka biseda, ka rrahje mendime, unë e kam vendosur që do shprehem në një moment të dytë, jo tani”.

Ndërkohë, në shkrimin e publikuar më parë nga Realstory.al, dilema kryesore ishte qëndrimi që do të mbajë Sali Berisha në këtë proces. Në fakt, lideri historik i PD-së ka heshtur deri tani, duke mos bërë asnjë deklarim publik për atë që po ndodhë në partinë që e ka drejtuar për më shumë se dy dekada. Megjithatë, shpeshtimi i takimeve mes zëdhënëses së tij dhe Jozefina Topallit, sigurisht takime miqësore, të lë të mendosh se lëvizja do të ketë dhe një ‘bekim’ nga Berisha, ose të paktën nuk do të jetë pengesë. /RealStory.al




Skip to toolbar