Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 25 nëntor hapi garën për drejtues të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ndërsa prokurorët e interesuar kanë afat edhe ditën e sotme për të shpallur kandidaturën.
Kreu do të zgjidhet mes 8 prokurorëve të emëruar tashmë si prokurorë të posaçëm. KLP ka deklaruar se “kandidatura e parë për drejtues të SPAK është Arben Kraja”. Sipas KLP, kërkesa është shoqëruar me vizionin për ndërtimin e Prokurorisë së Posaçme si institucion funksional dhe efektiv.
Emri i dytë që ka shprehur interesin për këtë post është Edvin Kondili, i cili gjithashtu e ka shoqëruar kërkesën e tij me vizionin për ndërtimin e Prokurorisë së Posaçme si institucion funksional dhe efektiv.
Kandidatura e tretë për drejtues të SPAK është Altin Dumani, i cili edhe ai ka shoqëruar kërkesën me vizionin për ndërtimin e kësaj strukture të posaçme.
Duke iu referuar rregullores, kreu i SPAK-ut do të zgjidhet në bazë të eksperiencës në ndjekjen e çështjeve sensitive; aftësisë në organizimin dhe drejtimin e një strukture; eksperiencës në çështje me ndjeshmëri të lartë publike ku është dashur edhe bashkëpunimi me median; vizionit dhe planit që do ndjekin për krijimin e Prokurorisë së Posaçme, si dhe imazhit që ata kanë.
SPAK-u do të fillojë punë në datën 19 dhjetor, pasi 8 kandidatët të jenë betuar para Presidentit. Me vënien në punë të Prokurorisë së Posaçme do të shkrihet Prokuroria për Krime të Rënda, një pjesë e kompetencave të saj do t’i marrin prokuroritë e rretheve, ndërsa krimi i organizuar dhe korrupsioni do të hetohen dhe gjykohen nga Struktura e Posaçme.
Pas përfundimit të afatit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të miratojë metodologjinë për përcaktimin e kandidatit fitues, ku prokurorët garues do t’i nënshtrohen një seance publike dëgjimore ku do të paraqesin edhe platformën e tyre.
Një nga prioritetet që ka drejtuesi i SPAK, me marrjen e detyrës, pritet që të zgjedhë edhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë kjo e cila do të jetë e varur nga SPAK-u, në hetimin e dosjeve të bujshme, e kryesisht ato që kanë të bëjnë me vepra të rënda penale, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.