“Gjesti i Borschardt, i dënueshëm, cenon paanësinë e tij”

POLITIKË


Gjesti ofendues i ambasadorit të OSBE, Bernd Borschardt ku nxori gishtin e mesit ndaj protestuesve të opozitës, gjë për të cilën kërkoi ndjesë më pas, është kritikuar nga paneli i të ftuarve në studion e emisionit “Real Story” të Sokol Ballës në News 24. Gjesti i tij u cilësua i dënueshëm dhe aspak etik për një person që mban postin e Ambasadorit dhe për më tepër të OSBE, që nuk përfaqëson vetëm një shtet, por një organizatë tepër të madhe, që shkon përtej një shteti. Ky gjest i ambasadorit mund të cënojë edhe besueshmërinë për paanësinë e tij thanë të ftuarit në studion e “Real Story”.

Për ish kryetarin e KQZ dhe ish deputetin demokrat, Arben Ristani, ambasadori Borschardt arrin të bëjë veprime të tilla aspak civile dhe të dënueshme, pasi i shkon dhe veprimeve të Kryeministrit edhe Presidentit. Ristani tha se kjo ndodh pasi Shqipëria është kthyer në një vend qesharak, ku respekti për qytetarin apo ligjin nuk eksiton më.

“Kur je në postin e Ambasadorit duhet t’i mbash nervat dhe të mos arrihet në sharje të tilla. Shqipëria është kthyer në një vend qesharak, ku nuk ka respekt për publikun dhe qytetarin dhe veprimi i tij është aspak qytetar dhe i dënueshëm. Për mua Ambasadori i OSBE, arrin të bëjë dhe veprime të tilla, pasi i shkon dhe veprimeve të Kryeministrit edhe Presidentit.” tha Ristani, i cili shtoi se ky veprim rriti edhe më shumë dyshimet për paanësinë e tij që mund të ndikojë në tryezën e Reformës Zgjedhore.

“ Besueshmëria që ai ka, edhe pas veprimit të djeshëm, mund ta cenojë një tryezë ku palët kërkojnë të gjejnë zgjidhje.” Në të njëjtën linjë ishte edhe politologu Roland Lami i cili tha se gjesti “nuk është aspak etik për postin që mban dhe më tepër kur është iniciator i një tryeze diskutimi për reformën zgjedhore mes të gjitha palëve”

Për Kristaq Kumen më shumë se shqetësimi për gjestin ai është i shqetësuar për mënyrën e tyre të sjelljes me popullin shqiptar dhe ofendimin  tij. ‘Mos ja kemi krijua neve mundësinë që ai të sillet kështu? Duhet të reflektojmë mbi këtë gjë, pasi një ambasador nuk mund të sillet ashtu vetëm se ndikohet nga emocionet. Për mua kjo është në rezultat i një bashkëveprimi i një sinergjie negative mes atyre dhe neve bashkë.”

Ish kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se ky gjest i papranueshëm do të jetë një minus në karrierën e tij diplomatike.

“Ndjesa është reagimi i duhur dhe për atë që Borschardt përfaqëson dhe padyshim që gjesti i tij është i papranueshëm. Është një ngjarje që vendos një minus në karrierën e tij të gjatë diplomatike.” tha Celibashi  / Real Story



Skip to toolbar