Shqipëria “kualifikohet” në zemrat e tifozëve

AKTUALITET


Moldavia mbetet “preha” e preferuar e “Shqiponjave”, por së pari e Sokol Cikalleshit. Tre golat e shënuar në pjesën e parë nga kuqezinjtë dhe një në pjesën e dytë, i dhanë fitoren 4-0 skuadrës kombëtare në fushën Moldave. Edy Reja kishte dhënë direktiva të qarta, asnjë ndryshim në stilin e lojës, në krahasim me Turqinë.

Që në minutat e para, kuqezinjtë rrisin presionin dhe fitojnë kontrollin e topit. Rezultati vjen në të 22`, kur Sokol Cikalleshi shënon një gol të bukur nga brenda zonës, pasi i kaloi mbrojtjes kundërshtare. Por nuk ndalet me kaq. Mbrëmjes moldave s`mund t`i mungonte as Keidi Bare.

Fieraku gjeti rrjetën në të 34`, pasi përfitoi nga një gafë e portierit vendas. Por kur mendohej se pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat, erdhi dhe qershia mbi tortë. Lorenc Trashi ishte thirrur disa herë në ekipin kombëtar, por maksimumi ishte stoli. Megjithatë, të hënën, Edy Reja ndryshoi mendim.

I plotësoi dëshirën Lorenc Trashit duke e hedhur që nga fillimi në fushën e lojës. Mbrojtësi i Partizanit e shpërbleu. Jo vetëm me lojën e shkëlqyer, por në të 39`, ai realizoi një gol spektakolar me të majtën nga jashtë zone.

Në pjesën e dytë kuqezinjtë ruajnë kontrollin e topit, por gjejnë edhe golin e katërt të takimit. Në minutën e 90` të takimit, Odise Roshi pason në qendër te Rey Manaj, që gjen rrjetën duke shënuar me finte. Shqipëria 4, Moldavia 0. Festa është kuqezi, por feston dhe Edy Reja, që nuk u beson syve për kryeveprën e kuqezinjve, që në fakt është kryevepër e tij.

Pas fitores të së hënës, Shqipëria shkon në kuotën e 12 pikëve dhe mban vendin e katërt të grupit H. Ndërkohë, Franca dhe Turqia, dy skuadrat e tjera të grupit tonë, në përballjen mes tyre ndanë nga një pikë, pas barazimit 1-1. Të dyja skuadrat ndajnë vendin e parë dhe të dytë në Grupin H me 19 pikë, ndërsa vendi i tretë mbahet nga Islanda që fitoi kundër Andorrës me rezultatin 2-0.



Skip to toolbar