Gjinushi zgjidhet në krye të Akademisë së Shkencave mes polemikave dhe akuzave

#NËRADAR


Mes polemikash nga akademikët dhe akuzave të opozitës sot janë realizuar zgjedhjet në Akademinë e Shkencave. Kandidati i vetëm Skënder Gjinushi është zgjedhur Kryetar i Akademisë së Shkencave, por që më herët, PD, nëpërmjet nënkryetarit të saj, Edmond Spaho kishte paralajmëruar se nuk do e njohin rezultatin dhe se e gjithë gara ishte një manipulim kriminal. Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar 44 akademikët që të votojnë për 4 vende vakante në këtë institucion, ku më i rëndësishmi është posti i kreut të Akademisë. Ashtu siç pritej secili është zgjedhur në detyrën për të cilën kandidoi, konkretisht;

– Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave

– Vasil Tole, Zv/kryetar i Akademisë së Shkencave

– Salvador Bushati, sekretar

– Neki Frashëri, Kryetar i Seksionit të Shkencave të Natyrës

Katër kandidatët u zgjodhën me shumicë votash, ku Gjinushi arriti të mbledhë 35 vota pro dhe 6 vota kundër, megjithëse ishte kandidati i vetëm.

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho deklaroi se farsa e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave është paralajmërimi i asaj që kryeministri Edi Rama ka planifikuar më 30 qershor. Ai tha se PD do të angazhohet sapo të ketë përgjegjësinë qeverisëse për zhbërë ilegjitimitetin dhe do nisë një proces të vërtetë reformimi. Ai tha se zgjedhjet farsë në Akademinë e Shkencave janë dëshmi se si pushteti i injorancës dhe i krimit kërkon të sundojë me çdo çmim mbi elitën. Spaho i cilësoi këto zgjedhje si manipulim kriminal, dhe simbol tragjik të emergjencës demokratike me të cilën përballet vendi ynë.

Por, nuk ishte vetëm PD që kundërshtoi zgjedhjet, pasi edhe akademiku Artan Fuga ka shkruar për zgjedhjet që u mbajtën sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Me një deklaratë për mediat, akademiku Fuga thekson se nuk do të pranojë puçin institucional dhe krimin  elektoral në Akademinë e Shkencave si dhe kryesinë e dalë prej zgjedhjeve farsë. Ai e cilëson ditën e sotme si e “premtja e zezë për  fushën e shkencës në Shqipëri”.



Skip to toolbar