Gjithë hezitimet që mbajnë të ngrirë ofertën mes LDK e Vetëvendosjes

OPINION


Nga Mero Baze

Lidhja Demokratike e Kosovës po heziton të pranojë një ofertë politike nga Albin Kurti, i cili i ka propozuar një koalicion parazgjedhor dhe një listë të përbashkët, ku e para e listës të jetë Vjosa Osmani dhe i dyti Albin Kurti, ndërsa për kryeministrin të vendoset nga vota popullore për secilin. Arsyetimi i mëtejshëm politik i Kurtit bazohet tek fakti që koalicioni duhet të ketë në themel dy partitë që luftojnë kapjen e shtetit, dhe jep siguri se numrat do të jenë në favor të tyre.


Lidhja Demokratike e Kosovës heziton ta pranojë ofertën, pasi nuk bie dakord tek fakti që kryeministri duhet të vendoset pas zgjedhjeve, bazuar tek vota popullore.

Vjosa Osmani u tha gazetarëve se, pavarësisht se kishin tejkaluar shumë çështje ideologjike dhe politike, nuk mund të shkonin në zgjedhje ku votuesit nuk e dinë kë votojnë për kryeministër.

Hezitimi në fakt vjen nga shkaqe më të gjera se kaq. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe VV kanë qëndrime realisht të ndryshme, për disa çështje themelore të Kosovës dhe ekzistencës së saj, të cilat në varësi të atij që do të jetë kryeministër, forcojnë shumë ndryshimet.

LDK ka votuar korrigjimin e kufirit me Malin e Zi, ndërsa Vetëvendosja e ka kundërshtuar. LDK është për bisedime me Serbinë, por pa shkëmbime territoresh, VV është për bashkim me Shqipërinë, pra për ndryshime kufijsh, që do të sjellin padyshim shkëmbim territoresh për Kosovën.

Është pak a shumë si plani i tanishëm Vuçiç- Thaçi, por që duhet të nisë nga bashkimi me Shqipërinë, dhe jo të përfundojë me bashkimin me Shqipërinë, siç e parashikojnë tani.

Ndryshime të forta ka dhe sa i përket raporteve të mira të LDK me Perëndimin, kryesisht SHBA dhe Brukselin dhe një lloj ngërçi të Kurtit në këtë drejtim, për shkak të qëndrimeve të tij populiste.

Për të gjitha këto arsye, beteja për kryeministrin merr shumë kuptim dhe LDK kërkon ta zgjidhë këtë para nënshkrimit të marrëveshjes.

Formula e Kurtit është e ndershme dhe parimore, por e padobishme dhe jo funksionale, pasi LDK e di mirë që Kurti merr më shumë vota se Vjosa Osmani si lider politik, dhe kjo për LDK është një eksperiment i rrezikshëm.

Nga ana tjetër, një listë e përbashkët e dy partive, kam frikë se do të krijojë pakënaqësi tek dy partitë dhe do të ulë efiçensën e mbledhjes së votave.

Çmimi i këtij koalicioni parazgjedhor, mbetet të jetë populizmi i Vetëvendosjes dhe futja e saj në një proces transformimi, nga një parti që nuk njeh Republikën e Kosovës, flamurin dhe kufijtë e saj, dhe statusin jurdik që ka aktualisht, në një parti që synon ta avancojë Kosovën  si një vend europian.

Por nga ana tjetër, nëse Vetëvendosja heq dorë nga ky identitet, vështirë se bën diferencë nga parti të tjera. Ndaj dhe ka pak shanse që LDK të shpresojë që Vjosa Osmani të mundë Albin Kurtin dhe të bëhet kryeministre, ashtu si ka pak shanse që Vetëvendosja të “tridhet” para se të hyjë në krevatin e martesës me LDK. Më lehtë e kanë të flasin më 7 tetor.




Skip to toolbar