Gjokoviç largohet nga Australia

Më të fundit


Ylli i tenisit, Novak Gjokoviç, u largua nga Australia të dielën pasi gjykata mbajti në fuqi vendimin e qeverisë për anulimin e vizës së tij. Kjo i dha fund debateve dramatike mbi rregullat e hyrjes në vend dhe statusit të vaksinimit kundër koronavirusit.

Tenisti serb u nis drejt aeroportit të Melburnit vetëm pak orë pasi një panel gjykatësish mbajtën në fuqi vendimin e qeverisë për dëbimin e tij nga Australia.


Organet e rendit e shoqëruan atë deri tek porta e avionit me destinacion Dubain.

Vendimi unanim nga tre gjykatës federalë i dha goditjen e fundit shpresave të Gjokoviçit për të marrë pjesë në turnen “Australian Open”, i pari nga tre turnetë kryesore të tenisit në botë që fillon të hënën.

Gjokoviç u ndalua fillimisht nga autoritetet e imigracionit më 6 janar ndërsa një gjykatës dha urdhër për lirimin e tij më 10 janar. Ai u ndalua përsëri më 15 janar në pritje të vendimit përfundimtar nga paneli me tre gjykatës që mbajti në fuqi urdhërin e qeverisë për anulimin e vizës.

“E respektoj vendimin e gjykatës dhe do të bashkëpunoj me autoritetet në lidhje me largimin tim nga vendi”, u shpreh ai përmes një deklarate, duke i uruar mbarësi turneut të tenisit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se vendimi për anulimin e vizës së tenistit Gjokoviç kishte prapavija politike.

“Bisedova me Novak Gjokoviçin pas vendimit. I thashë se pres me padurim që ta shoh në Serbi, që të kthehet në vendin e tij, ku është gjithmonë i mirëpritur. Dhe ata që mendojnë se treguan se u qëndrojnë parimeve të tyre, shfaqën hapur se nuk kanë patur kurrë parime. Ju e keni keqtrajtuar tenistin më të mirë të botës për 10-11 ditë, duke marrë vendimin në ditën e 11, kur e kishit marrë vendimin që nga dita e parë.”

34-vjeçari Gjokoviç apeloi pa sukses vendimin e Ministrit të Imigracionit Alex Hawke për anulimin e vizës së stij.

Shefi australian i imigracionit ishte shprehur se Gjokoviç mund të përbënte kërcënim për rendin publik sepse prania e tij do të inkurajonte ndjenjat kundër vaksinimit ndësa vendi po kalon një periudhë të rëndë të përhapjes së rasteve të infeksionit me koronavirus.

Tenisti seb Novak Gjokoviç, i cili ka shprehuar hapur skepticizmin ndaj vaksinës, tha se ishte shëruar nga koronavirusi në dhjetor.

Gjokoviç pati thënë se dy panele mjekësore dhe organizatorët e turneut të Australisë e kishin njofuar se ishte i përjashtuar nga udhëzimet e qeverisë, që kërkon që të gjithë vizitorët e huaj duhet të jenë të vaksinuar kundër COVID-19.




Skip to toolbar