Gjuta sërish në burg, i theu dhëmbët me çekiç kushëririt

AKTUALITET


Vladimir Gjuta është arrestuar më datë 4 janar të këtij viti nga policia, pasi akuzohet se ka rrahur kushëririn e tij me çekiç, duke i thyer dhëmbët dhe duke i lënë të dëmtuar njërin nga sytë. Në momentin e arrestimit, Gjuta ishte duke udhëtuar drejt qytetit të Kukësit me një automjet tip “Opel” me targa Kosove, si dhe ndodhej nën shoqërinë e një shtetasi nga Kosova.

Gjuta është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi më parë ka qenë arrestuar si i akuzuar për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ish- ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri më 10 shkurt 2015, por që në përfundim të hetimeve u lirua, pasi akuzat nuk u provuan. Vladimir Gjuta kishte kërcënuar ish-ministrin me një mesazh në numrin e tij personal. “Lëre të qetë familjen Gjuta, ndryshe do të kesh pasoja”, shkruhej në mesazhin pas të cilit Tahiri u mor në mbrojtje nga forcat RENEA.

Ndërsa disa kohë më pas, Gjuta u arrestua për dhunë ndaj babait të tij, duke thyer edhe masën e “arrestit shtëpiak”, por u lirua sepse familjarët nuk ngritën kallëzim penal. Në hetimet e kryera për këtë rast në vitin 2016, prokuroria e Tiranës kërkoi që ndaj Gjutës të kryhej mjekim i detyruar pasi rezulton – sipas organit të akuzës – që të jetë person i papërgjegjshëm.



Skip to toolbar