Këshilli i Europës çon “Antishpifjen” në Venecia

POLITIKË


Këshilli i Europës ka çuar ligjin antishpifje në Komisionin e Venecias në mënyrë që në të adresohen rekomandimet e saj në ato nene që KiE shprehet se nuk përputhen me standardet europiane për lirinë e mediave. Ka qenë vetë Komisioni i Venecias që ka publikuar në faqen e saj zyrtare kërkesën për dhënien e një opinioni për ligjin Antishpifje, të kërkuar nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Europës. Paketa Antishpifje do të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias në muajin Mars të cilët do të japin opinion e tyre mbi dy projektligjet që KiE shprehet se ka nevojë për përmirësim.

Paketa është çuar nga Asambleja e Përgjithshme e Monitorimit, strukturë e Këshillit të Europës që monitoron dhe ndihmon vendet anëtare të Këshillit të Evropës të përmbushin premtimet e tyre për të mbështetur standardet më të larta demokratike dhe të të drejtave të njeriut. Pjesë e monitorimit të plotë është edhe Shqipëria, ku përfshihen vizita të rregullta dhe dialog të vazhdueshëm me autoritetet për të siguruar që përparimi dhe problemet e një shteti janë vlerësuar siç duhet.


Paketa “antishpifje” e qeverisë Rama hasi në kundërshti të forta nga gazetarët, opozita, analistët dhe shoqëria civile para se të kalonte në parlament, duke e cilësuar atë si cenim të fjalës së lirë dhe kontroll të qeverisë ndaj mediave. Ligji u kthyer edhe nga presidenti Meta, i cili tha se ai bie në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit.

Dhe pse ky ligj është bërë me konsultim të plotë me OSBE, Këshilli i Europës ka kërkuar disa rishikime të neneve të tij me argumentin se duhen përshtatur sipas standardeve të vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Europës. Disa nga dispozitat që ky ligj ka hasur në kundërshtim dhe skepticizëm të Këshillit të Europës lidheshin me kompetencat që u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të tepërta, bllokimi i faqeve të internetit të mediave pa një vendim gjyqësor, si dhe futja e rregullimit shtetëror të mediave në internet, mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në vend.

Një ditë më parë zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero tha se qeveria duhet të fokusohet në adresimet e bëra nga Këshilli Europian dhe t’i shtojë ato në paketë. KE u shpreh se kthimi i dekretit nga Meta, përbën një rast për qeverinë shqiptare, për të pranuar rekomandimet e këshillit.




Skip to toolbar