Avokati Idajet Beqiri, në emisionin “Real Story” në ABC News foli për seancën prej gjashtë orësh të zhvilluar ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Gjatë fjalës së tij, ai shpjegoi seanca e sotme quhet seanca e verifikimit të masës, duke shtuar se problemi qëndron në faktin se po bëhen dy procese në një.
Më tej theksoi se gjykimi i masës së sigurimit ndaj Veliajt dhe bashkëshortes së tij është bërë në mungesë të tyre, duke e cilësuar si problem.
“Masat e sigurimit i merr një gjyqtar i seancës paraprake. Pasi merr kërkesën e prokurorit vendos. Nuk mund të vendosë më lart se ajo kërkesë që ka bërë prokurori. Ky gjyqtar është i masave të sigurimit për Erion Veliaj derisa sa cështja të kaloj për gjyq të seancës paraprake. 20 kërkesa të bëjë ai, ky do ta gjykojë prapë. Prokurori ka kërkuar masën “arrest me burg” pa afat dhe kësaj i qëndroi edhe sot.
Gjykimi i masës së sigurimit për Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij është bërë në mungesë të tyre, këtu është problemi i parë. Këta nuk janë persona që po i fshihen hetimit. Ligji është ligj, procedura për të marrë një masë sigurimi, kur ti sa herë e thërret të vjen dhe më pas masën e sigurimit e merr në mënyrë të fshehtë nuk është normale. Këtë që po bëjnë sot, duhet ta bënin tek seanca e fshehtë. Kjo sot quhet seancë e verifikimit të masës, dhe në këtë seancë nuk ndodhin çudira. Dhe kushtet, në cilin burg të kanë çuar… thelbin e ka dhënë. Problemi është që bëjmë dy procese për një…”, tha ai.