Shefja e misionit të ODIHR, Audrey Glover është rikthyer në Tiranë për të zhvilluar takime me aktorët politikë në lidhje me rekomandimet që OSBE ka lënë për realizimin e reformës zgjedhore në Shqipëri.
Gjatë ditës së martë ajo ka zhvilluar një takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha ndërsa në axhendën e saj janë parashikuar takime me Monika Kryemadhin, Rudina Hajdarin, Damian Gjiknurin dhe anëtarë të komisionit të Reformës Zgjedhore në orën 15:45.
Në një prononcim për mediat, Glover tha se ndodhet në Tiranë për të diskutuar pikërisht për rekomandimet e OSBE, por nuk ka asnjë mesazh për të ndarë për mediat. Ajo tha se do të qëndrojë në Shqipëri disa ditë.
Glover drejtoi misionin e vëzhguesve të OSBE/ODHIR-it në zgjedhjet vendore të 30 qershorit dhe në përfundim tha se ishte e kënaqur nga procesi zgjedhor duke pasur parasysh “dhunën e opozitës”, por nuk kurseu kritikat drejtuar qeverisë.