“Eksplozivi”, ikën drejtori i stadiumit

AKTUALITET


Klubi i Tiranës pezulloi drejtorin e stadiumit Ksenofon Haskoçela. Burime jo-zyrtare shprehen për Realstory.al, që drejtori i stadiumit është pezulluar të hënën. Shkak është bërë incidenti i ndodhur në stadium. Ndërkohë, sipas “Ballkanweb”, Haskoçela nuk do të ushtrojë detyrën e tij deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë që ndodhi të dielën.

Tre tifozë, sipas Policisë së Shtetit, vendosën 3 vazo me lëndë plasëse pranë tribunës së tifozëve të Partizanit ditën e ndeshjes derbi, të cilin e kishin lidhur me tel përcjellës. Por fatmirësisht, një punonjës policie zbuloi rastësisht tre gropat e mbushura me lëndë plasëse, duke shmangur një ngjarje që mund të rezultonte me pasoja të rënda.


Ndërkohë, drejtori i stadiumit “Selman Stërmasi”, në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama Sport” të hënën, nuk pranoi se kishte një vendim për shkarkimin apo pezullimin e tij, por u shpreh se “kishte bërë mirë punën e  tij”.

“Nuk e di çfarë shkruhet dhe çfarë thuhet nëpër studio. Unë e kam bërë mirë punën time. Me korrektësi maksimale. Po ju them se si përgjegjës i stadiumit, fusha ishte në kushte optimale, e vijëzuar sipas kritereve që duhen. Është punuar me rrethimin dhe janë bërë të gjitha riparimet e nevojshme.  Gjithçka për mua ishte në rregull”, tha Haskoçela.

Madje, Drejtori i “Selman Stërmasit”, është shprehur se ishte ai që lajmëroi përgjegjësit e sigurisë tri orë para ndeshjes, se kishte pikasur dy gropa, brenda të cilave ishin kuti me fishekzjarrë apo tymues. Megjithatë, gazetari Artan Hoxha dha një version tjetër të ngjarjes, duke shkruar se “një polic ishte penguar në telin përcjellës të vazove me kapsolla, duke i zbuluar rastësisht”.

Policia nisi hetimet për ngjarjen e rëndë, duke sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë së stadiumit, ndërsa dyshohet se tre personat që vendosën vazot me lëndë plasëse janë identifikuar, një prej të cilëve është arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.




Skip to toolbar