Basha, presion bankave: Mos financoni PPP e Ramës

AKTUALITET


Kreu i PD-së, Lulzim Basha, pas sulmeve ndaj oligarkëve ka nisur presionin ndaj bankave të cilave u ka dërguar një letër, përmes të cilës u kërkon që të mos financojnë PPP-të e Ramës. Për herë të parë në histori, kreu i një force politike u drejtohet bankave dhe u kërkon atyre që të mos financojnë projektet e qeverisë pasi janë të korruptuara dhe madje sipas Bashës pastrojnë paratë e krimit dhe të drogës. Basha nuk jep fakte, por rendit akuzat dhe rrezikun që i kanoset bankave nëse ndërmarrin veprime të tilla.  

“Mos rrezikoni me financimin e PPP-ve që pastrojnë para të drogës dhe korrupsionit! Do t’i anullojmë!”, kështu shkruan Basha në letrën drejtuar bankave në Shqipëri.


Për dijeni Basha ia ka dërguar letrën edhe Guvernatorit të Bankës se Shqipërisë, përmes të cilës “shpreh shqetësimin e opozitës lidhur me përpjekjet e shumë aktorëve për të pastruar shuma të mëdha parash nëpërmjet aktiviteteve të licensuara apo të kontrolluara nga sektori publik”.

“Nga aktiviteti i paligjshëm i prodhimit të drogës dhe trafikimit të saj nga Shqipëria, gjatë këtyre viteve të fundit, janë prodhuar miliarda euro, një pjesë e të cilave janë përdorur për të korruptuar qeveritarë dhe punonjës publikë me qëllim pastrimin e  parave të përfituara nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike apo/dhe korrupsioni. Sektori bankar është më i ekspozuari nga bashkëpunimi mes qeveritarëve të korruptuar me disa kompani që po përdorin sektorin e ndërtimit për të pastruar paratë e fituara nga aktivitetet e paligjshme”, shkruan Basha.

Duke theksuar se jo çdo biznes i angazhuar në sektorin e ndërtimit kryen aktivitet të paligjshëm, kreu i opozitës, Lulzim Basha, shprehet se disa kompani kanë marrë leje ndërtimi dhe kontrata publike në nivele të tilla që nuk justifikohen as nga eksperiencat e tyre dhe as nga mundësitë financiare që ato kanë. Basha përmend si të tilla dy kontratat e fundit PPP për projektet rrugore Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat.

“Të dyja kontratat publike, haptazi, cënojnë interesin publik dhe dëmtojnë në mënyrë të rëndë interesat financiare të shtetit shqiptar, duke u siguruar përfitime të padrejta zyrtarëve të korruptuar dhe kompanive private”- thuhet në letrën e kreut të opozitës për bankat e nivelit të dytë.

Kreu i PD-së i paralamëron bankat “për rrezikun financiar nga bashkëpunimi me këto kompani, të përfshira në korrupsion me zyrtarët  publikë”.

“Nga vlerësimi i kapaciteteve financiare dhe teknike të kompanive private, të përfshira në këto dy projekte, rezulton se ato nuk kanë mundësi për t’i përfunduar projektet me mjetet e tyre dhe, për pasojë, parashikohet marrja e kredive bankare. Mirëpo, këto kompani nuk kanë mundësinë reale për të kthyer kredinë që do të kërkojnë nga ju, pas momentit të anullimit të financimit të paligjshëm shtetëror, që kanë përfituar si pasojë e veprimeve korruptive”, shkruan kreu i PD-së.

Në përfundim të letrës Basha  i kërkon bankave që të distancohen nga mbështetja e projekteve korruptive të qeverisë.  Basha shprehet se financimi i të tilla projekteve, që kanë si qëllim pastrimin e parave të trafiqeve dhe korrupsionit, jo vetëm që s’duhet të lejohet, por do të përbënte dhe kriminalizimin e atij personi apo institucioni që ka bashkëpunuar në këtë drejtim.

 “Duke përfituar nga ky rast, ju kërkojmë zyrtarisht që të vlerësoni me seriozitet informacionin e përcjellë. Ne shprehim besimin e plotë që ju do të distancoheni dhe nuk do të bëheni palë në akte që provojnë mbështetjen ndaj projekteve korruptive dhe që cënojnë interesin publik.

Ne presim që banka juaj të aplikojë procesin e “vigjilencës së zgjeruar” në çdo transaksion ku përfshihen subjekte që janë angazhuar në aktivitetet e sipërcituara, veçanërisht, duke patur parasysh indiciet që janë publike jo vetëm nga PD, por edhe nga raportet e institucioneve të specializuara ndërkombëtare.”- shkruan Basha, i cili thotë se mirëpret çdo propozim nga bankat për t’u bërë pjesë e programit për luftën ndaj pastrimit të parave dhe korrupsionit.

Më herët Basha ka sulmuar ashpër oligarkët duke thënë se kur ai të vijë në pushtet dhe të bëhet kryeministër do të anulojë koncensionet korruptive. Madje Basha ka premtuar se kur të bëhet kryeministër do t’ua marrë paratë oligarkëve dhe do ua japë të varfërve. Në vazhdën e këtij sulmi vjen edhe ky presion i ri ndaj bankave./realstory.al




Skip to toolbar