Grupi i V4: Negociatat me Shqipërinë, investim strategjik i BE

AKTUALITET


Kryeministrat e vendeve të Grupit të Vishegradit, pasi takuan partnerët nga Ballkani Perëndimor në Pragë, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët. Ata kanë përsëritur mbështetjen e tyre të paanshme për pranimin në BE të Ballkanit Perëndimor dhe besimin e tyre të vendosur se ribashkimi i Evropës nuk mund të jetë i plotë pa hyrjen e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, në deklaratë theksohet se “politika e zgjerimit të BE-së siguron një mjet të paçmuar për arritjen e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor; për rrjedhojë, një politikë e besueshme e zgjerimit përfaqëson një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e BE-së gjithashtu”.

Më tej, në deklaratën e përbashkët të vendeve të Grupit të Vishegradit, i bëhet thirrjeve vendeve anëtare të BE-së dhe Këshillit të Europës, që gjatë muajit tetor të marrin në konsideratë momentin e mirë pozitiv të krijuar si rezultat i avancimit të reformave (për Shqipërinë) dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës (për Maqedoninë  e Veriut), për të hapur negociatat e pranimit në BE të këtyre dy vendeve.

Duke e cilësuar hapjen e negociatave si një nxitje më të madhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në thellimin e reformave, vendet e V4 shprehen se hapja e negociatave, do të garantojë që “BE të vazhdojë të jetë lojtari kryesor në promovimin e transformimit pozitiv rajonal”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e vendeve të Grupit të Vishegradit. Në takimin e zhvilluar të enjten më 12 shtator ishte pjesëmarrës dhe Kryeministri Edi Rama, që gjithashtu ka konfirmuar qëndrimin pozitiv të vendeve të V4 për të mbështetur Shqipërinë në hapjen e negociatave me BE.



Skip to toolbar