“Grykësia për pushtet e pasuri”. Meta nuk gjen paqe

AKTUALITET


Përmes një mesazhi Presidenti Meta ka kujtuar 21 shtatorin, Ditën Ndërkombëtare të Paqes, ndërsa tregon se nuk ka gjetur paqe, dhe nuk heq dorë nga sulmet ndaj qeverisë dhe Ramës. Ndërsa kujton shprehje të Nënë Terezës (me të cilën s’ka asnjë lidhje), Meta shkruan se “nuk mund të ketë paqe nëse nuk respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, nëse egoja, ambicja, interesi i ngushtë personal, si dhe grykësia për pushtet e pasuri, prevalon mbi interesin e përbashkët”. Një deklaratë të tillë e bën njeriu që gjatë gjithë jetës së tij ka luftuar për pushtet dhe karrige, ka bërë aleanca nga më të pabesueshmet, duke u hedhur sa majtas e sa djathtas, vetëm nga grykësia për pushtet  (e pasuri).

Më tej Meta shkruan: “paqja e sigurtë, afatgjatë dhe e qëndrueshme garantohet vetëm kur liritë, të drejtat, aspiratat dhe nevojat e qytetarëve, mbrohen përmes sundimit të shtetit të së drejtës”. Këtë e thotë pikërisht ai që ka sulmuar ashpër përpjekjen për të ndërtuar shtetin e së drejtës përmes reformës në drejtësi. Sulme që nuk kanë kursyer askënd, as qeverinë dhe as ndërkombëtarët, veçanërisht SHBA-në që është investuar fuqishëm në realizimin e reformës në drejtësi.

Më pas Presidenti kujton regjimin diktatorial duke shkruar se “e kaluara kur harrohet, rrezikon të përsëritet”, duke bërë një analogji me qeverisjen e Ramës. Deklaratë e përsëritur, duke përdorur të njejtën gjuhë si opozita.

“Në rajonin tonë, kujtimet e hidhura, dhimbjet, vuajtjet dhe pasojat e rënda që lanë pas luftrat, masakrat, genocidet dhe regjimet diktatoriale janë ende të freskëta.

E kaluara kur harrohet, rrezikon të përsëritet!

Duhet të jemi shumë vigjilentë ndaj çdo tentative që do të mund të cenonte sovranitetin, paqen, qetësinë, mirëkuptimin, respektin reciprok dhe bashkëjetesën mes njerëzve, popujve, kombeve, etnive dhe besimeve, duke synuar mbjelljen e farës së paragjykimeve, ndenjës së urrejtjes dhe autoritarizmit, veçanërisht nga keqpërdorimi i shtetit për përfitime personale dhe të pushtetit”, shkruan Meta.

Reagimi i presidentit i cili duhet të ishte mbi palët në respekt të Kushtetutës, por që është bërë palë me opozitën, vjen në një kohë kur po afrohet dita e shkarkimit të tij. Komisioni Hetimor Parlamentar është në pritje të raportit të Komisionit të Venecias. Vetë presidenti e ndjeu rrezikun e shkarkimit, ndaj dhe fluturoi drejt Venecias për të bërë lobime kundër shkarkimit. Por u prit si një “turist i ardhur nga kozmosi” nga presidenti i Komisionit të Venecias. Pritet që raporti i Venecias të jetë gati më 12 tetor dhe më pas Komisioni Hetimor do të vendosë për shkarkimin e Metës, proces të cilin maxhoranca është vendosur ta çojë deri në fund./realstory.al



Skip to toolbar