Dy bashkë-kryetarët e komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari patën përplasje për miratimin e kësaj reforme në dy faza. Për Gjiknurin është e rëndësishme që në muajin dhjetor të mbyllet drafti ku paraqiten rekomandimet e OSBE-së, ndërsa ndryshimi i sistemit të vijojë më pas duke qenë se kërkon një kohë më të gjatë diskutimi. Hajdari nuk është dakord në lidhje me këtë duke thënë se do diskutohen paralelisht edhe rekomandimet dhe sistemi përmes grupeve të punës të ngritura, dhe në fund kur të vijë momenti i miratimit do të jetë bashkërisht. Megjithatë palët kanë dakordësinë se reforma do të diskutohet brenda institucioneve të kuvendit, pavarësisht kërkesës së PD për ta bërë atë jashtë përmes një strukture të posaçme. Si Gjiknuri dhe Hajdari ftuan PD të jetë pjesë e tryezës me çdo mënyrë komunikimi për të adresuar çështje te reformës zgjedhore në një dialog sa më gjithëpërfshirës.
“Brenda një jave ekspertët do të paraqesin draftet e para për të adresuar rekomandimet e OSBE-së. Opozita ka të drejtën e propozimit për sistemin zgjedhor që do të adresohet paralelisht me rekomandimet e OSBE-së. Ne e bëmë të qartë që çështja e sistemit, vota e emigrantëve apo të tjerë të komplikuar do të duan më shumë kohë, ne duam që brenda dhjetorit të mbyllim çështjet që kanë të bëjnë me rekomandimet. PD nuk ka sjellë propozime, në çdo draft që do të diskutojmë natyrshëm edhe ata kanë të drejtë të bëjnë propozime si shoqëria civile, komente dhe vërejtje. Ne i kemi kërkuar PD-së të gjejë çdo forme komunikimi, çdo propozim edhe pa qenë pjesë e komisionit, ne jemi gati që ato propozime që janë në përputhje me rekomandimet ti marrim në konsideratë, por të jenë sipas rekomandimeve të OSBE-së.” tha Gjiknuri, i cili shtoi se opozita parlamentare nuk është dakord për ndarjen me dy faza, ndërsa shprehu se shumica ka vullnet për të parë edhe çështjet e sistemit.
“Jo nuk janë dakord, insistojnë për çështjen e sistemit zgjedhor. Por Shqipëria ka disa prioritete që lidhen me negociatat. Ne kemi vullnetin për ta parë çështjen e sistemit. Por komisioni filloi ta trajtojë çështjen dhe javë pas jave do të miratojmë paketa. Nëse PD-ja zgjedh rrugë komunikimi apo ka propozimet e saj jemi gati ti marrim parasysh. Tryeza me PD është përtej kodit, është e natyrës politike. Unë besoj që brenda dhjetorit kemi mundësi ti adresojmë çështjet që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE-së.” tha Gjiknuri
Bashkë-kryetarja e Komisionit për Zgjedhoren, Rudina Hajdari theksoi se është kundër votimit të reformës me dy faza, por kërkon që si rekomandimet e OSBE-se ashtu edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor të votohen së bashku. Hajdari bëri të ditur se do ngrihen grupe pune për të adresuar çështje të caktuara.
“Kemi rënë dakord të bëjmë disa grupe pune për disa nga çështjet, disa për ndryshimin e sistemit për një propozim konkret nga opozita parlamentare, atë që ne do të propozojmë. Nuk do të ketë reformë me dy faza, për këtë të jeni të qartë dhe për këtë kemi rënë dakord. Do të merremi edhe me rekomandimet e OSBE-së, por edhe për ndryshimin e sistemit, por kur të vijë momenti i miratimit do të jetë bashkërisht. Opozita parlamentare ka vetëm një qëllim; ndryshimi i sistemit, ta shembim këtë dhe qytetarët të votojnë përfaqësuesit e tyre dhe jo partitë politike.” tha Hajdari