Bashkëkryetarja e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore Rudina Hajdari është shprehur pro prezencës së opozitës jashtëparlamentare në tryezën e dialogu. Hajdari tha se opozita joparlamentare është e mirëpritur për të parashtruar kërkesat e saj në mënyrë që të forcojë edhe me shumë kampin opozitar. Deputetja e opozitës parlamentare, Hajdari shtoi se ndryshimi i sistemit elektoral do të jetë prioritet dhe një nga objektet e diskutimit të komisionit të Reformës Zgjedhore.
“Opozita patjetër duhet të bëhet pjesës e kësaj tryeze sepse reforma zgjedhore është kali i betejës që do ta forcojë opozitën dhe t’i japi shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të pakontestuara. Po të arrijmë të ndryshojmë dhe çlirojnë atë sistem që u ngrit në 2008 atëherë do të jetë një fitore e të gjithëve, jo vetëm për partitë politike por për të gjithë shqiptarët. Ndryshimi i sistemit është prioritet dhe është vënë si objekt në komisionin e reformës zgjedhore.” tha Hajdari për mediat, por shtoi se nëse opozita vendos me bojkotin e saj atëherë kjo është zgjedhje e tyre dhe se reforma nuk do të mbetet peng.
“Ne shtrijmë dorën, patjetër por reforma zgjedhore duhet të ecë përpara. Nëse ata vazhdojnë dhe bojkotojnë çdo proces konstruktiv për demokracinë është zgjedhja e tyre, ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Ne do vazhdojmë ta përmbushim këtë kriter edhe për hapjen e negociatave”, tha Hajdari.
Më 25 qershor prezenca e OSBE në Shqipëri ka vendosur të mbajë një tryezë dialogu gjithëpërfshirëse për Reformën Zgjedhore ku ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike në vend. Opozita jashtëparlamentare iu përgjigj të martën se do të jetë prezente në këtë tryeze duke u tërhequr përfundimisht nga bojkoti dhe pranoi më në fund të ulet për të diskutuar për Reformën Zgjedhore.