Sesioni i ri, Balla: “Anti-KÇK”, së shpejti në Kuvend

POLITIKË


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e nisi fjalën e tij në sesionin e ri parlamentar me pasojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit, duke thënë se 2020-a do të mbahet mend gjatë si viti i rindërtimit, ndërsa deklaroi se së shpejti do të dërgohet në Kuvend paketa “Anti-KÇK”.

“Përshkallëzimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit është i nevojshëm për ecurinë tonë të mëtejshme dhe jetik për imazhin tonë ndërkombëtar. (Kush ka kryer krime dhe është dënuar, është akuzuar nga prokuroria, po i ka shpëtuar dënimit falë aleancës me KÇK-në, është hetuar apo është nën hetim, brenda ose jashtë vendit, duhet të provojë pastërtinë e burimeve të pasurisë ose duhet ta humbasë pasurinë)”, u shpreh ai.


Më tej, numri dy i PS u ndal te tryeza e përbashkët politike për Reformën Zgjedhore, duke vlerësuar të gjitha palët, që pranuan të ulen më në fund në tryezën e dialogut dhe duke u shprehur se PS është e gatshme të përmbyllë këtë reformë më 15 mars.

 “Nëse në fillim të vitit 2019, kishte plot skepticizëm për çuarjen para të Reformës në Drejtësi, në dhjetor të 2019 SPAK ishte në detyrë, Gjykata Kushtetuese ka numrin e mjaftueshëm për të vijuar një pjesë të punëve dhe sot ngremë edhe një tjetër institucion të rëndësishëm. Viti 2020 ka nisur me një qasje të re të disa nga partive të opozitës. Edhe pse i vonuar, ndryshimi 180% i qasjes së opozitës, duke u kthyer në tryezën e dialogut, është padyshim një reflektim. Kuvendi, me mazhorancë dhe opozitën parlamentare, i ka krijuar një vend opozitës jashtëparlamentare në komisione. Opozita jashtëparlamentare deri më tani e kishte refuzuar komisionin e reformës. Ekspertët e komisionit kanë paraqitur deri tani gjithë amendamentet që trajtojnë çështjen dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ritheksoj se qëndrimi ynë është përmbyllja e Reformës Zgjedhore më 15 mars 2020. Draftet e diskutuara nga të gjitha palët do të kalojnë nëpër procedurën parlamentare e më pas në seancë plenare. 15 marsi është afati i fundit. Më 14 mars iu ftoj në Elbasan për Ditën e Verës, më 15 votojmë Reformën Zgjedhore”, u shpreh kreu i grupit të PS.




Skip to toolbar