Reforma zgjedhore, Hajdari-Gjiknuri kërkojnë ekspert nga OSBE-ODIHR

Dy bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari i janë drejtuar me letër zyrtare OSBE-ODIHR-it ku kërkojnë dërgimin e një eksperti që do të punojë së bashku me ekspertet vendas dhe përfaqësuesit politikë në hartimin e drafteve përfundimtare në kuadër të Reformës Zgjedhore.

Kërkesa është firmosur nga dy kryetarët e Reformës Zgjedhore, ku OSBE-ODIHR vihet në dijeni për hapat e fundit të ndërmarrë nga ky komision, ku tashmë në tryezën e diskutimeve është ulur dhe opozita jashtë parlamentare. Në këtë letër, Gjiknuri dhe Hajdari deklarojnë se drafti përfundimtar do i dërgohet OSBE-së dhe Komisionit të Venecias para se të kalojë në Kuvend.

Ndërkaq, Komisioni mbetet në pritje të caktimit të eksperteve nga opozita jashtëparlamentare që bashkë me ekspertët e komisionit të fillojnë menjëherë dhe pa humbur kohë punën në zbatim të marrëveshjes së arritur pak ditë më parë.

Sesioni i ri, Balla: “Anti-KÇK”, së shpejti në Kuvend

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e nisi fjalën e tij në sesionin e ri parlamentar me pasojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit, duke thënë se 2020-a do të mbahet mend gjatë si viti i rindërtimit, ndërsa deklaroi se së shpejti do të dërgohet në Kuvend paketa “Anti-KÇK”.

“Përshkallëzimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit është i nevojshëm për ecurinë tonë të mëtejshme dhe jetik për imazhin tonë ndërkombëtar. (Kush ka kryer krime dhe është dënuar, është akuzuar nga prokuroria, po i ka shpëtuar dënimit falë aleancës me KÇK-në, është hetuar apo është nën hetim, brenda ose jashtë vendit, duhet të provojë pastërtinë e burimeve të pasurisë ose duhet ta humbasë pasurinë)”, u shpreh ai.

Më tej, numri dy i PS u ndal te tryeza e përbashkët politike për Reformën Zgjedhore, duke vlerësuar të gjitha palët, që pranuan të ulen më në fund në tryezën e dialogut dhe duke u shprehur se PS është e gatshme të përmbyllë këtë reformë më 15 mars.

 “Nëse në fillim të vitit 2019, kishte plot skepticizëm për çuarjen para të Reformës në Drejtësi, në dhjetor të 2019 SPAK ishte në detyrë, Gjykata Kushtetuese ka numrin e mjaftueshëm për të vijuar një pjesë të punëve dhe sot ngremë edhe një tjetër institucion të rëndësishëm. Viti 2020 ka nisur me një qasje të re të disa nga partive të opozitës. Edhe pse i vonuar, ndryshimi 180% i qasjes së opozitës, duke u kthyer në tryezën e dialogut, është padyshim një reflektim. Kuvendi, me mazhorancë dhe opozitën parlamentare, i ka krijuar një vend opozitës jashtëparlamentare në komisione. Opozita jashtëparlamentare deri më tani e kishte refuzuar komisionin e reformës. Ekspertët e komisionit kanë paraqitur deri tani gjithë amendamentet që trajtojnë çështjen dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ritheksoj se qëndrimi ynë është përmbyllja e Reformës Zgjedhore më 15 mars 2020. Draftet e diskutuara nga të gjitha palët do të kalojnë nëpër procedurën parlamentare e më pas në seancë plenare. 15 marsi është afati i fundit. Më 14 mars iu ftoj në Elbasan për Ditën e Verës, më 15 votojmë Reformën Zgjedhore”, u shpreh kreu i grupit të PS.

Reforma, Hajdari: Referendum për të zgjedhur sistemin zgjedhor

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, njëherazi bashkëkryetare e Komisionit për Reformën Zgjedhore demokrat, Rudina Hajdari ka deklaruar se nuk do të lejojë që Reforma Zgjedhore të kthehet në një pazar të radhës mes PD dhe PS, ndërsa ka hedhur idenë e një referendumi që shqiptarët të zgjedhin sistemin zgjedhor që duan. Ajo tha se e drejta për zgjedhur nuk duhet t’i mohohet shqiptarëve dhe ndoshta duhet theksuar edhe përmes një referendumi.

“Viti që lamë pas ishte një vit me kriza politike dhe u luajt me aventurat me jetën e shqiptarëve. Pavarësisht përbaltjes për të shkërrmoqur këtë parlament, ky Kuvend miraton që të nderohet. Besoj se unë e kolegët e mi opozitarë kemi qëndruar fort duke i shërbyer agjendës euro-atlantike të vendit. Shqiptarët po jetojnë kriza politike e sociale. Ne na takon t’u japim shqiptarëve një demokraci më të mirë. Ne duhet të largohemi nga tendencat totalitare dhe nga ikja nga përgjegjësia. Shqiptarët presin reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Ne duam që parlamentin t’ua kthejmë shqiptarëve. Dua të falënderoj edhe opozitën jashtë-parlamentare, që pati vullnetin të ulej në tryezë. Reforma zgjedhore të mos kthehet në Pazar të radhës, por të jetë reale. Unë u ula në tryezë që shqiptarët të kenë besim për votën që hedhin. Ne do luftojmë deri në fund që të përmbushet reforma zgjedhore. Në mbështetje me SHBA dhe aleatët tanë, do t’u japim shqiptarëve mbështetje të plotë. Shqiptarët pse jo mund ta vendosin edhe me referendum se çfarë forme të listave duan për votim. Unë jam për lista të hapura, që të votohet njeriu dhe jo partia të vendosë njeriun”, tha Hajdari.

Diskutimet për sistemin zgjedhor, aktualisht janë hedhur poshtë si nga mazhoranca, ashtu dhe opozita jashtë parlamentit, pasi sipas tyre, ato do të diskutohen në një kohë tjetër për faktin se ndryshimi i sistemit zgjedhor hyn te ndryshimet kushtetuese.

“Thuaj dy detaje, bind shqiptarët”, analistët debat me Bylykbashin: Çdo sjellë kjo Reformë?

Tryeza politike e Reformës Zgjedhore për arritjen e një konsensusi politikë dhe një “paqe të re” ndërpartiake ka shkaktuar debate mes të ftuarve në emisionin “Real Story” në News 24, ku analistët Fatos Lubonja dhe Arjan Vasjari kërkuan nga Bylykbashi, i mandatuari i PD në këtë tryezë, se çfarë është kjo reformë dhe si do të ndal shitblerjen e votës.  

Analisti Fatos Lubonja është shprehur skeptik nëse kjo reforme e re zgjedhore do të ndalë shitblerjen e votës  apo cenimin e saj, ndërsa pyeti Bylykbashin se çfarë mekanizmash do të përdorë opozita për ta arritur këtë gjë.

Në përgjigje të tij Bylykbashi tha se opozita ka propozimet e veta duke iu referuar edhe nisjes së hetimeve të SPAK për shitblerjen e votës. Por të dy analistët, Lubonja dhe Vasjari thanë se hetimet  e SPAK nuk kanë lidhje me reformën zgjedhore.

Pjesë nga debati:

Lubonja: Ju duhet t’i shpjegoni publikut një gjë. Cilat janë mekanizmat, që do të fusni ju te kjo reforma zgjedhore, që do kenë kaq gjithëpushtetshmëri për të ndaluar ato që thoni ju?

Bylykbashi: A duhej ligji i Dekriminalizimit, që për turp na është dashur. Dekriminalizimi të ndalon të kandidosh për gjithë jetën. Rama i shmanget atij ligji, duke firmosur 5 kryetarë bashkie kriminelë.

Lubonja: Pra, është provë që edhe pse ju bëtë këtë ligj, Rama firmosi kryebashkiakë kriminelë.

Bylykbashi: Ne do vëmë rregulla, që të bëhet më e shtrenjtë kjo shkelje ligji.

Lubonja: Na thuaj mor burrë nja dy detaje, se çfarë është kjo reforma, që të binden shqiptarët. Kjo reforma do t’i vërë kufi krimit të organizuar, oligarkëve. Na thuaj nja dy gjëra që të binden?

Bylykbashi: Reforma do bëjë pjesën e vet. Shitblerjen e votave.

Lubonja: Si do e ndalojë reforma shitblerjen e votës? Më thuaj këtë dhe unë jam i kënaqur.

Bylykbashi: Më jep 5 fjalë dhe do ta jap përgjigjen unë. Ne sot kemi një prokurori që nuk lëviz gishtin për krimet zgjedhore.

Lubonja: Dhe reforma do ta bëjë prokurorinë të lëvizë gishtin?

Bylykbashi: Ne kemi propozimet tona.

Vasjari: S’kanë asnjë propozim. Prokuroria, SPAK, s’kanë lidhje fare.

Bylykbashi: Shit-blerja e votës është krim i rëndë, pra bëhet krim i SPAK. Nëse SPAK nuk e nis me këtë, atëherë ai ka dështimin e parë.

Vasjari: Bukur, por kjo s’ka lidhje me reformën.

Bylykbashi: Policia sot bën fushatë, mbron shitblerjen e votës, do t’i vëmë rregulla.

Lubonja: Me çfarë rregulli. Bind njerëzit.

Bylykbashi: Do t’i vëmë rregulla shtesë, propozimet tona.

Lubonja: Aaa, akoma s’i keni rregullat.

Bylykbashi: Ky problem do shumë zgjidhje. Krimi duhet bërë një gjë e zezë, që njerëzve të mos iu shkojë në mend ta bëjnë. Nuk do e bëjmë vetëm ne. Nëse nuk vënë dorën e tyre në ato ndryshime, nesër do thonë nuk janë tonat. Që ca rregulla më mirë do futen, nuk ka diskutim.

Vasjari: Kuadri ligjor ka qenë korrekt në Shqipëri. Ju po prodhoni bashkë një set rregullash, që të minimizoni atë që sipas jush ka ndodhur. Korrektimet që ju bëni do na prodhojnë një Kod Zgjedhor më të mirë, apo korrektime që do mundësojnë, apo do vërtetojnë, se ai që ka fituar zgjedhjet i ka fituar dhe ai që i ka humbur i ka humbur? Ju i keni humbur zgjedhjet e shkuara?

Bylykbashi: Zgjedhjet e fundit i bëmë ne dhe i humbëm. Mund të ketë shumë spekulime, por kemi dosjen e 313, të zgjedhjeve të 2017, ku katalogu i bandave kriminale. që konkurrojnë në Evropë, bënin terror mbi zgjedhësit. Në Durrës besoj se janë dy mandate të marra nga kriminelët.

“Duhej një mea cupla”, Vasjari: Në tryezë u ulën dy kultura të dështuara politike

Analisti Arjan Vasjari tha se palët politike duhet të kishin bërë fillimisht një ‘mea culpa’ për shqiptarët dhe vitin e tmerrshëm që krijuan në 2019, por në fakt treguan se në tryezë u ulën dy kultura të dështuara politike. Vasjari tha në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se palët politike duhet që të njihnin faktin se viti 2019 kishte zhvillime të tmerrshme politike, ndërsa nënvizoi dhe gabimet e opozitës, ku në disa raste bie edhe në kundërshtim me veten.

“Unë jam skeptik. Në tryezë janë ulur dy kultura politike të dështuara. Nga njëra anë është kultura e dështuar e përfaqësuar jashtë institucioneve. Ndërsa Zoti Bushati këtu përfaqëson kulturën e përfaqësimit të vendit pa opozitën. Viti 2019 është bilanci i dështimit spektakolar në 28 vjet. 2019 ishte dështimi total. Në substancë nuk ka ndryshuar asgjë. Duhet që palët të thoshin se viti 2019 është një vit totalisht shkatërrues demokracie dhe palët duhet të mendonin për ndryshim. Palët nuk kanë thënë këtë gjë prandaj jam skeptik. Palët duhet që të kërkonin ‘mea culpa’. Edhe opozita ka gabimet e veta. Nëse opozita thotë se nuk ka zgjedhje të lira me Edi Ramën, pse ulet në tryezë me të? Ju jeni në kundërshtim me veten”, deklaroi Vasjari.

“Zgjedhorja”, Bushati: I kemi votat në parlament! Bylykbashi: Edhe më 2001 i patët, por…

Reforma Zgjedhore dhe se çfarë pritet nga kjo “paqe e re” mes forcave politike është pjesë e diskutimit të emisionin “Real Story”. Deklarata e Oerd Bylykbashit se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira ka shkaktuar një debat mes tij dhe deputetit socialist Ervin Bushati në emisionin “Real Story” në News 24. Bylykbashi tha se opozita i qëndron faktit të krijimit të një qeverie tranzitore para zgjedhjeve, ndërsa Bushati tha se palët nuk janë armiq por janë në një garë, ku do të ketë fitues dhe humbës. Bushati tha se mazhoranca i ka votat për ta kaluar reformën në Kuvend, por ka zgjedhur të përfaqësohet me ¼ e saj dhe t’i besojë opozitës për një marrëveshje konsensuale mes forcave politike.

Pjesë e debatit:

Bylykbashi: Qëndrimi i opozitës është i palëkundur, me Ramën nuk mund të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme. Vendimmarrja e opozitës se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet, që do jenë zgjidhje e krizës politike, është e qartë, me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Ajo që është një fakt, me Ramën zgjedhje të lira e të ndershme shqiptarët nuk mund të kenë.

Bushati: Unë paraqes mazhorancën, dhe ne kemi përgjegjësi ndaj qytetarëve që të japim rezultate. Shqiptarët nuk duhet të na shohin si armiq, jemi garues. Jemi si në një garë, që ndeshen dy kundërshtarë për të fituar. Sot PS në atë tryezë, në politikën shqiptare, ka mbi 50%, dhe po operojmë me ¼. Kjo është shenjë e besimit të mirë që i japim opozitës, sepse i kemi numrat dhe në Parlament. Mbaj mend një shprehje të bukur që tha sot Bylykbashi në tryezë “Prezantimi real i forcave politike”.

Bylykbashi: Kjo është batuta e fundit. Ju të gjithë e kujtoni, më 2001 ODIHR tha se gjerësia e fitores së PS ishte në pikëpyetje. Më pas doli PE që vuri kusht konsensusin, dhe më 2002 u ra dakord për një reformë konsensuale, sepse edhe pse i kishte votat PS, nuk mund t’i përdorte. Jemi kthyer 18 vite pas.

Bushati: Anglia është kthyer 300 vite pas dhe nuk po zgjidh dot Brexit. Ky është realiteti i ri që po jetojmë. Çfarë duhet të themi që Britania është kthyer në kohën e Çarlsit.

Kusht apo objektiv largimi i Ramës? Bylykbashi: Me të nuk ka zgjedhje të lira

Me Edi Ramën zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka. Ne i qëndrojmë kërkesës për një qeveri tranzitore, përpara zgjedhjeve”. Kjo ishte deklarata e Oerd Bylykbashit, të mandatuarit të PD-së në tryezën politike të reformës zgjedhore, në emisionin “Real Story” në News 24, kur u pyet nga gazetari Sokol Balla nëse largimi i Ramës si kryeministër ishte kusht apo jo i opozitës në këtë tryezë që solli paqen e re mes partive politike.

Ne jemi vend me një katalog shkeljesh skandaloz. Kemi shumë shkelje, nga të drejtat bazë te ato të lirisë së medias. Me këtë proces që kemi nisur tani, është e kotë që PS t`i këndojë paqes. Ky do jetë proces shumë intensiv, do përfshihen shumë aktorë. Qëndrimi i opozitës është i qartë; me Edi Ramën nuk mund të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne i qëndrojmë kërkesës për një qeveri tranzitore, përpara zgjedhjeve” u shpreh Bylykbashi duke i qëndruar kështu në koherencë asaj që kreu i demokratëve Lulzim Basha tha pak orë më parë për mediat se “Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Bylykbashi tha se kjo tryezë politike u shty kaq shumë për shkak të vonesave të PS, por në fund u arrit ajo që kërkoi opozita që në tetor, një këshill politik jashtë parlamentit. Bylykbashi tha se Ramës i mundon qartazi vullneti politik ose e ka negativ, ku deri dje deklaronte se reforma do të zhvillohej brenda Kuvendit dhe sot po diskutohet për arritjen e një konsensusi ndërpartiak jashtë tij.

Ky dokument përcakton rregullat me të cilat ne do përballemi, pa kompromis për Reformën Zgjedhore. Është detyrim që Shqipëria ka karshi OSBE. Shqipëria me këtë barrë të rëndë, merr sot drejtimin e këtij institucioni. Ajo që ne na duhet është një dy muajsh shumë intensiv për të bërë një Reformë Zgjedhore, ku të mos ketë shitblerje votash, cenim të votave. Reforma Zgjedhore është kushti. Ramës i mungon qartazi vullneti ose e ka atë negativ. U mbajt për moment të fundit vendimi për pjesëmarrjen në Tryezën Zgjedhore për shkak të vonesave nga pala tjetër pasi kishte tentativa vonese nga pala tjetër. Këshilli Politik ka shumë vlerë, kjo është më e rëndësishmja. Dokumenti ka bërë që palët të angazhohen, jashtë parlamentit, dhe mos bëhet Reforma Zgjedhore siç i do qejfi.

Ajo s’mund të bëhet në Parlament, do të bëhet jashtë saj dhe me ekspertë jashtë parlamentit. Rama flet shumë i bindur se Reforma do bëhet në Kuvend dhe ja ku jemi sot. Zgjedhjet sa më shpejtë janë e vetmja zgjidhje për krizën politike. Sot demokracia ka rënë dhe kushtetuta bashkë dhe është shumë e rrezikshme” tha Bylykbashi.

“Basha shan Shqipërinë. Ju i prishët imazhin vendit”. Gjylameti-Çupi përplasen në Real Story

Deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti është përplasur në debat në studion e “Real Story” me ish-deptueten e Partisë Demokratike Dhurata Çupi. Debati nisi kur deputetja socialiste u shpreh se Partia Socialiste ka shprehur gjithmonë vullnetin për të bërë reforma, ndërsa shtoi se Basha duhet të ndalojë të shajë Shqipërinë në gjuhë të huaj. Kjo deklaratë nuk u prit mirë nga ish-deputetja demokrate, e cila u shpreh se imazhin e Shqipërisë e ka prishur mazhoranca gjatë 7-të vjetëve të qeverisjes.

Blerina Gjylameti: PS tregoi se ka vullnet për të bërë reformën zgjedhore. Partia Socialiste ka pasur gjithmonë vullnet për të bërë reforma. PS nuk duhet të priste që Basha të prishte imazhin e Shqipërisë. Basha duhet të ndalojë të shajë Shqipërinë në gjuhë të huaj.

Dhurata Cupi: Imazhin e Shqipërisë e keni prishur ju në 7 vjet.

Blerina Gjylameti: Kemi kërkuar në Bundestagun e Gjermanisë dhe ishte një nga kushtet edhe reforma zgjedhore. Opozita bëri një akt të paprecedent, duke djegur mandatet. Janë tërësisht fjalë subjektive ato sipas të cilave zgjedhjet në Shqipëri janë blerë a shitur, por thuhet se ka fenomene. Nuk ka pasur deformim të rezultatit të zgjedhjeve. Shit-blerja e votave nuk është diçka që ndodh sot, por ka kaq kohë që ndodh. Ne duhet të krijojmë besim te sistemi zgjedhor që vota të mos tjetërsohet.

Dhurata Cupi: Kemi shit-blerje të votave dhe skandal të madh. Dolën përgjimet e BILD të cilat ishin tronditëse. Ky është realiteti është i rëndë dhe ndërkombëtarët thonë atë që këtu është realitet.

Blerina Gjylameti: Do të depolitizojmë administratën zgjedhore. Depolitizimi është një kërkesë e vazhdueshme e OSBE ODIHR-it. Duhet të jetë në draftin që dakordësohen palët. Edhe ekonomia e partive politike duhet të jetë transparente. Opozita bojkotoi dhe u kthye prapë.

Dhurata Cupi: U hoqën 500 vetë nga administrata nga dekriminalizimi. Ju prandaj keni imazhin e keq në sytë e ndërkombëtarëve sepse vidhni. Vota që nuk iu dhanë shqiptarët iu degjeneroi.

Pakti për “Zgjedhoren”, OSBE: Hap i rëndësishëm, për një reformë të plotë

Prezenca e OSBE në Shqipëri ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes palëve politike në vend për zhvillimin e tryezës për Reformën Zgjedhore. OSBE thekson se kjo marrëveshje është hapi i duhur për arritjen e një reformë të plotë që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ndërsa shprehet se do të vijojë të jap kontributin e saj për realizimin e Reformës Zgjedhore.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret marrëveshjen e sotme politike për reformën zgjedhore. E shohim këtë marrëveshje si një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë e në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Prezenca është e gatshme të vijojë të kontribuojë në procesin e reformës zgjedhore, në përputhje me mandatin e saj” shkruan OSBE

OSBE ishte e para që zhvilloi tryezën për Reformën Zgjedhore ku ishin të ftuar të gjithë aktorët politikë. Në këtë tryezë PD u përfaqësua nga Ivi Kaso, i cili pasi dorëzoi shkresën me 5 pikat e Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore u largua nga tryeza. Në qëndrimin e saj zyrtar, opozita nuk e njihte legjitimitetin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, as kryetarin e saj Damian Gjiknurin dhe as opozitën parlamentare. Pasi kuptoi se kjo reformë do të kalojë vetëm përmes Kuvendit, ajo mandatoi dy përfaqësuesit e saj, Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin, të cilët u ulën në të njëjtën tryezë me Rudina Hajdarin dhe Damian Gjiknurin ku arritën edhe paktin se reforma zgjedhore do bëhet me konsensus mes palëve.

SHBA përshëndet tryezën për reformën zgjedhore

Ambasada Amerikanë në Tiranë ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes opozitës jashtëparlamentare dhe maxhorancës për t’u ulur në një tryezë për reformën zgjedhore. Ambasada thekson rëndësinë e këtij dialogu për të krijuar një reformë që trajton dhe parashtron të gjitha rekomandimet e ODIHR-it në mënyrë që të zhvillohen procese zgjedhore të besueshme dhe demokratike.

Në mesazhin e tyre, SHBA thekson se ky bashkëpunim të ecë përpara për të siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni.

Ne përshëndesim palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it. Reforma do të mbështesë procese zgjedhore të efektshme dhe të besueshme dhe do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”, shkruan Ambasada Amerikane në Facebook.

Më herët opozita jashtëparlamentare pranoi të ulej në një tryezë dialogu me qeverinë dhe opozitën parlamentare për të diskutuar reformën zgjedhore në vend. Ky ishte një hap i rëndësishëm dhe një ndryshim qëndrimi nga ana e saj, ku më herët kishte deklaruar se nuk do të ulej në një tavolinë me kryetarin e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri dhe se nuk e njihte opozitën parlamentare. Të martën opozita jashtëparlamentare pranoi të dy këto faktorë dhe mandatoi dy përfaqësuesit e saj Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin. Pas përfundimit të tryezës për reformën zgjedhore, të gjitha palët në takim, si mazhoranca, ashtu dhe opozita parlamentare dhe ajo jashtëparlamentare u shprehën se reforma zgjedhore po bëhet me konsensus mes palëve dhe se kjo reformë të arrihet brenda 15 marsit 2020.

Skip to toolbar