Një ditë pas takimit në Athinë me Mitsotakis, kryeministri Rama ka firmosur një VKM, ku aktivizon një komision të posaçëm për administrimin e ujërave ndërkufitare. Kjo VKM nënkupton një hap para për marrëveshjen e detit me Greqinë, duke pasur parasysh se një ndër detyrat kryesore të komisionit është për administrimin e ujërave ndërkufitare, administrimin e marrëdhënieve me shtetet kufitare për këto ujëra, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, në marrëveshjet ndërkombëtare, konventat dhe protokollet e nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.
Vendimi i qeverisë për “përbërjen dhe funksionimin e komisionit të posaçëm për administrimin e ujërave ndërkufitare” është ndërmarrë në mbledhjen e së mërkurës, ku komisioni përbëhet nga 7 zëvendësministra dhe kryetar është përcaktuar zëvendësministri për Punët e Jashtme, por nuk cilësohet se cili prej tyre do të drejtojë komisionin, duke qenë se aktualisht janë dy të tillë, konkretisht Etjen Xhafaj dhe Sokol Dedja. Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe do të raportojë periodikisht te Kryeministri Rama për veprimtarinë e Komisionit.
Ngritja e këtij komisioni vjen një ditë, pasi Rama deklaroi pas takimin me homologun grek se do të vijojë të punojë me qeverinë e re të Greqisë për çështjen e kufirit detar, me shpresën se do gjendet një zgjidhje konsensuale. Në VKM nuk përmendet respektivisht kjo marrëveshje, por duket se Rama ka vendosur që të shkojë një hap më tej 9 vjet pas bllokimit të marrëveshjes së qeverisë Berisha me Greqinë, bllokim që erdhi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila me votim unanim më 26 janar 2010 shpalli në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë “Projekt-marrëveshjen midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Vendimi i gjykatës u shpall më 15 prill 2010, vendim i cili gjykoi në themel këtë marrëveshje./Realstory.al/