Hapja e bazës së NATO-s në Kuçovë/ Sotiri: Shqipëria lë gjurmë në hartën e aleancës. Nazarko: Ngjarje e madhe jo vetëm ushtarake

Më të fundit


Baza ajrore taktike e NATO-s u hap paraditen e kësaj të hëne në Kuçovë. Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm gjeneralë të aleancës, i dërguari me punë i SHBA David ëisner dhe krerët e shtetit shqiptar, të cilët e quajtën këtë ditë një pikë kthese për të përballuar rreziqet e kohës dhe kërcënimin rus.

Juxhina Sotiri, kreu ekzekutiv nga qendra rajonale për sigurinë, deklaroi në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës se me këtë bazë ajrore, Shqipëria lë gjurmë në hartën e aleancës euroatlantike.

“Përveç investimit që do të sjellë në shoqërinë e qytetit të Kuçovës, është një nga rindërtimet e infrastrukturës kritike të sigurisë nga NATO. I duhet dhënë theksi si një infrastrukturë kritike sigurie që e vendos Shqipërinë në footprint dhe lë gjurmë në hartën e NATO-s me bazat e tyre strategjike dhe taktike. NATO asnjëherë nuk bën investime që nuk janë strategjike edhe pse baza është taktike. Përmendim bazën në Itali apo në Rumani që ka një distancë të konsiderueshme dhe Shqipëria shërben si një pikë tranziti. Për t’i kthyer edhe njëherë sytë nga Shqipëria, jo vetëm si një investim i NATO-s, është një nga vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk ka një histori sllave, është partneri strategjik i SHBA që ka treguar besnikëri dhe kredibiltet që nga ’90 dhe kur influenca ruse nuk është në ato nivele në politikë si në Mal të Zi apo Maqedoni të Veriut, që janë anëtare të NATO-s.“, tha Sotiri.

Ndërkohë komentatori politik Mentor Nazarko shtoi se inaugurimi i bazës është një ngjarje e madhe që shërbën për një sërë funksionesh.

“Jo më kot Rama që dëshironte që ky lajm të merrte jehonë ndërkombëtare, përmendi se cilët kanë qenë misionet e forcave ajrore të traktatit të Varshavës që strehoheshin edhe në Kuçovë, pra cilët ishin detyrat e para në rast të një konflikti midis dy blloqeve, që ishte bombardimi i Vienës, Mynihyt, Shtutgartit apo vendeve të tjera. Për ta riktheksuar karakterin historik të bazës, sot nuk kemi traktat Varshave, kemi Rusinë përballë Perëndimit, u përmendën këto fakte. Kjo është një ngjarje e madhe në historinë jo thjesht ushtarake të Shqipërisë. Baza nuk ka vetëm funksion taktik, ka strategjik sepse futet tek ushtrimet, trajnimet. Kjo bazë ka edhe një funksion frikësues të të gjithë atyre përpjekjeve për të kërcënuar hapësirën ajrore të Shqipërisë. Janë shumë funksione në një dhe marrin fuqi akoma më të madhe në situatën e konfliktit me Ukrainën.”, tha Nazarko./abcnews.al



Skip to toolbar