Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj, i pyetur për mungesën e Kosovës në takimin e Mini-Shengenit që u zhvillua në Tiranë, tha se synimi i këtij takimi është heqja e taksës që Kosova i ka vendosur produkteve që importohen nga Serbia. Por kjo deklaratë e tij është mohuar nga Rama i cili tha se Haradinaj është një gënjeshtar që vetëm gënjen ose nga padija ose qëllimisht.
“Ne nuk kemi nevojë për Mini-Shengen me kryeqytet Serbinë. Ne jemi të interesuar për Shengen, pra për Bashkimin Evropian, Brukselin. Kosova është vend euroatlantik. Kjo është perspektiva jonë. Krejt kjo bëhet me na heq taksën. Krejt mini-shengeni ka vetëm këtë qëllim që ne të heqim taksën për mallrat serbe”, tha Haradinaj për mediat në Kosovë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit shqiptar, Rama i cili e quajti Haradinajn gënjeshtar.
“Haradinaj është një gënjeshtar që vetëm gënjen. Nuk e di pse e bën, qëllimisht apo ndoshta nga padija, por kjo është gënjeshtër. Këtu s’ka asnjë kusht dhe asnjë detyrim. Kjo nismë ka vetëm një qëllim që të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara më parë. Unë e kam mbështetur taksën për mallrat serbe në të kaluarën dhe askush nuk ka bërë presion”, tha Rama.