Helmoi vjehrrën me “lëngun magjik”, 32 vite burg për nusen

AKTUALITET


Marjana Çmeta është dënuar të martën nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 32 vite burg për vrasjen e vjehrrës së saj Lirie Lami. Ngjarja ka ndodhur më 30 prill të 2018 kur Marjana Çmeta helmoi vjehrrën me fotoksinë dhe më pas ngjarjen ia rrëfeu hoxhës Hysen Shehu. Ajo i tregoi atij me detaje sesi e kishte mashtruar vjehrrën duke i dhënë të pinte “lëngun magjik” që nuk ishte gjë tjetër veçse helm për minjtë, duke i thënë se ia kishte dhënë hoxha që t’i jepnin fund sherreve mes tyre. Rrëfimin e Marjanës hoxha e regjistroi dhe për këtë njoftoi bashkëshortin e Marjanës, Oltjan Lamin.

Marjana Çmeta nuk e ka pranuar në asnjë moment akuzën për helmimin e vjehrrës por ka thënë se ka pasur përleshje fizike me të.

Hetuesit gjetën shenja dhune në trupin e viktimës, e konkretisht në fytyrë dhe kokë, i janë gjetur shenja, si ato të kafshimit, apo gërvishtje. Shenja këto, që tregonin për një përleshje të Lirije Lamit me personin që e kishte vrarë, pra nusen e saj.

Për këtë krim Marjana Çmeta do të duhet të vuaj 32 vite burg, ndërkohë që jashtë ka një fëmijë të mitur.



Skip to toolbar