Gazetarja e News 24, bëri një deklaratë të fortë në “Real Story”, duke u shprehur se nëse SPAK do të hetojë atentatin e prokurorit Arjan Ndoja, do të hapet “Kutia e Pandorës”. Sipas saj, ngjarja e Durrësit ka trembur politikanë të niveleve të larta, të cilët kanë përfituar prona në bregdetin e Durrësit.
“Nëse SPAK do e hetojë këtë ngjarje, unë besoj se do ketë zyrtarë të lartë që do ndëshkohen deri në majat e politikës. Përfitues të këtyre pronave që ka përfituar ky personazhi, janë prona që kanë kaluar në duar të dyta e të treta, ka vila të ndërtuara, ka biznesmenë, politikanë, ka resorte që janë duke u ndërtuar atje. Hapja e kësaj “Kutie të Pandorës”, realisht po tremb politikën dhe biznesin në këtë vend. Kam parë një lloj reaksioni. Nën zë njerëzit më kanë thënë; mirë bëri që ndodhi kjo ngjarje, se na kanë rrahur dhe na kanë marë pronat”, tha gazetarja.
Sipas saj, nëse do të ketë një prokuror që do të hetojë deri në fund këtë dosje, do të ketë dënime në nivele të larta. “Nëse do ketë një prokuror që do e çoj deri në fund, mendoj se të ndëshkuarit do jenë në nivele shumë të larta. Nuk bëhet fjalë për këtë qeveri apo atë të shkuarën, por për 29 vite. Kjo nuk është vetëm histori e Durrësit, por e gjithë bregdetit. Ata kriminel që japin para për fushatat, çfarë presin të nesërmen, presin benefite nga pushteti. Ky i famshmi ka vëllain drejtor të postës së Durrësit. Është vjedhur posta e prokurisë, është vjedhur pikërisht për një nga këto dosjet”, tha ndër të tjera Klodiana Lala.
Këtë mendim e përforcoi gazetari Alfred Peza, i cili shkoi më tej, duke shtuar se dalja nga sistemi e opiztës ishte për të bllokuar reformën në drejtësi. “Trembja e politikës kishte lidhje me atë që ndodhi para 30 qershorit. Dalja nga sistemi ishte për bllokimin e sistemit të drejtësisë. Ishte zyrtari i DASH, që erdhi që ofroi garanci për ngritjen e SPAK. Një nga kushtet që ka vendosur SHBA për klasën politike në Shqipëri, është mbështetja pa kushte e reformës në drejtësi. Deri tani nuk e kemi. Mungesa e mbështetjes tregon frikën e politikës ndaj reformës në drejtësi. Por e kanë të kotë, brenda këtij muaji ngrihet SPAK dhe institucionet e tjera”, tha Peza./Realstory.al/