Kosova luajti kundër Anglisë të martën në mbrëmje ndeshjen e radhës kualifikuese të Euro 2020. Dardanët bën një paraqitje të mirë në atë sfidë, pavarësisht rezultatit 5-3 në favor të Anglisë. Megjithatë, veç ndeshjes dhe spektaklit në fushë, vëmendjen e ka tërhequr edhe një tjetër detaj. Gjatë kohës që këndohej himni, kameramani që filmonte futbollistët duke kënduar ishte një person i quajtur Chris James.
Në fakt, deri këtu duket si gjithçka normale, pasi e njëjta gjë ndodhë në çdo stadium, ku një kameraman duhet të filmojë momentin e këndimit të himnit nga lojtrët duke kaluar me kamer përpara fytyrave të tyre.
Por, Chris James, aktualisht kameraman në ITV Sport, nuk ishte kaq i zakonshëm për tifozët e Kosovës. 22 vite më parë, pikërisht në vitin e largët 1997, Chris James ka xhiruar në Kosovë situatën e tensionuar dhe fillimet e luftës me Serbinë. Chris James ka qenë reporter në atë kohë, duke filmuar operacionet ushtarake ndërkombëtare dhe rolin e Britanisë së Madhe, ka treguar gazetari i ITV Sport, Garbiel Clarke.
22 vite më pas, kameramani që filmoi tmerrin në luftën e Kosovës, filmoi me kamerën e tij fytyrat e 11 lojtarëve të Kosovës që u përballën me kombëtaren e Anglisë. Ndonëse “Tre Luanët” triumfuan ndaj Dardanëve, tifozët e Kosovës në stadium nuk lanë pa shprehur mirënjohjen ndaj Anglisë, për rolin që ka pasur në pavarësinë e Kosovës. “Falë juve, tani ne luajmë kundër jush. Gjithmonë mirënjohës ndaj teje, Anglia jonë e dashur”, ka qenë një nga pankartat e shpalosura të martën në mbrëmje në stadiumit “St.Mary`s”, të Southamptonit.