Me armë dhe drogë nëpër Tiranë, kapen në lokal dy persona

AKTUALITET


Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona në flagrancë në kuadër të operacionit “Aleati 2”. Konkretisht, sipas një informacioni zyrtar të Policisë së Tiranës, mësohet se janë arrestuar shtetasit me inicialet E.D., 33 vjeç dhe E.B., 25 vjeç, të dy banues në tiranë. Për këta shtetas, policia kishte marrë informacion në rrugë operative, se lëviznin me sende të kundërligjshme me vete.


Menjëherë nga shërbimet e policisë është organizuar operacioni policor “Aleati 2” për kapjen e tyre në flagrancë. Pasi shërbimet e policisë i kanë konstatuar këta dy shtetas në një lokal në zonën e Yrshekut, u kanë ushtruar kontroll fizik. Gjatë kontrollit fizik shtetasit E. D., iu gjet një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, ndërsa shtetasit E. B., iu gjet një armë e ftohtë thikë dhe një sasi lënde e dyshuar kanabis.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, një armë e ftohtë thikë dhe një sasi lënde e dyshuar kanabis. Materialet proceduarale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “ Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit E. D. dhe për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” e “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në ngarkim të shtetasit E. B.