Edhe pse votoi kundër çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 18 tetor, Holanda duket se ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe shprehet pro hapjes së tyre duke vlerësuar përpjekjet e dy vendeve. Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok tha se vendi i tij është dakord që Këshilli i Europës të rikthejë çështjen e negociatave për dy vendet para samitit në maj të 2020. Blok tha se Holanda do mbështes të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa shtoi se Shqipëria duhet të tregojë gjatë kësaj kohe rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Vendi im përshëndeti përparimin e bërë në të dy vendet si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Sidoqoftë, përpara fillimit të negociatave të pranimit, Shqipëria duhet të tregojë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këshilli Evropian do të kthehet në temën e negociatave të pranimit përpara Samitit të Ballkanit Perëndimor në maj të vitit 2020. Ne do të mbështesim Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në punën e tyre për të ardhmen në BE.
Periudha e ardhshme mund të përdoret për të reformuar më tej sundimin e ligjit. Të dy qeveritë njoftuan se do të vazhdojnë me këto reforma. Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë ata”, tha Blok.
Në lidhje me rritjen e influencës ruse, kinezë apo edhe turke në Rajonin e Ballkanit, Blok tha se një rrezik i tillë nuk ekziston, pasi Ballkani Perëndimor mbetet i përkushtuar drejt të ardhmes së saj europiane.
“Nuk besoj se kjo do ta drejtojë rajonin drejt faktorëve të tjerë të jashtëm. Vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të përkushtuar ndaj perspektivës evropiane. Për më tepër, BE-ja mbetet deri tani partneri më i madh tregtar, investitori i huaj dhe partneri i bashkëpunimit në rajon. Sigurisht, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lirë të marrin vendime sovrane në lidhje me marrëdhëniet e tyre me vendet e treta ose organizatat ndërkombëtare”, tha Blok
Ky ndryshim qëndrimi i Holandës vjen pas dhënies së një vendimi negativ për hapjen e negociatave për dy vendet, së bashku me Francën dhe Danimarkën. Vendimi i këtyre 3 vendeve u kritikua ashpër si nga SHBA dhe nga liderët e BE-së, duke u shprehur se po i hapin rrugë influencave ruse në rajon si dhe cenon besueshmërinë e BE.