KPA refuzon provat “greke e turke” të Besnik Muçit

AKTUALITET


Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu vendimin për gjyqtarin e sapozgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, i cili u rikthye në Vetting pas ankesës së Komisionerit Publik.

Komisioneri Publik dyshon se ish-prokurori, tashmë gjyqtar i dekretuar në kushtetuese, nuk justifikon pasurinë e tij, ku nga viti 2003 deri në vitin 2006 si dhe në vitin 2016, ka mungesë burimesh financiare të ligjshme për të justifikuar shpenzimet dhe kursimet e deklaruara.


Për këtë arsye, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Besnik Muçit nga radhët e drejtësisë. Në seancën e të hënës, Besnik Muçi, paraqiti disa prova të reja, duke i kërkuar trupit gjykues marrjen e tyre në funksion të shqyrtimit të çështjes.

Por, trupi gjykues refuzoi të marrë në konsideratë disa prova të paraqitura nga Besnik Muçi, të cilat ishin në gjuhën greke dhe turke. Sipas njoftimit të KPA, këto prova, në gjuhë të huaja, nuk ishin të legalizuara në rrugë diplomatike ose me vulë apostile, ndërkohë që mori disa prova të tjera shkresore.

Për këtë arsye, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i kërkoi Komisionerit Publik të paraqesë një vlerësim në seancën e radhës, e cila do të zhvillohet në datën 7 nëntor.

Kujtojmë se pak kohë më parë Ilir Meta e dekretoi Besnik Muçin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse ai ishte renditur i treti me pikë. Argumenti kryesor i presidentit për emërimin e Muçit si anëtar të kushtetueses, ishte fakti se ish-prokurori ishte i gjinisë mashkull.




Skip to toolbar