Humbja e gjyqit me Ramën, “zbutet” Berisha: Ishin komente politike

Më të fundit


Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës kundër ish-kryeministrit Sali Berisha për përhapje lajmesh të rreme dhe për dëmshpërblimin e kryeministrin Rama në shumën 500 mijë lekë si person i dëmtuar nga një shkrim në Facebook ka reaguar zyra e Berishës, duke i cilësuar akuzat e ngritura nga Berisha ndaj Ramës si komente politike.

“Qartësisht në postim ngrihej një argument politik dhe ilustroheshin arsyet e ngecjes së procesit të integrimit europian të vendit, për shkak të keqqeverisjes, si dhe bëhej thirrje të lexohej i plotë artikulli, i cili përbënte burimin e lajmit”, deklaroi zyra e ish kryeministrit për dënimin me gjobë. Por, ndryshe nga sa pretendon Berisha sot, rreth një vit më parë në një postim në Facebook, tashmë të fshirë prej tij, ai hidhte akuza ndaj Ramës se Gjermania i ka mohuar hapjen e negociatave për shkak se mbron në parlament kriminelët si Taulant Balla dhe Sajmir Tahiri.

“Kohët fundit jo vetëm qeveri të vendeve kryesore të Bashkimit Europian por dhe vet Parlamenti Europian dhe më në fund edhe Komisioni Europian janë deklaruar haptas kundër diskutimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë për shkak të krimit të organizuar në nivelet më të larta të pushtetit, me fjalë të tjera për shkak të familjeve mafioze Rama – Xhafa – Balla -Tahiri. Sqaroj këtu se vetëm 6 muaj më parë Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian i rekomanduan Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian që u mblodh më 28 qershor 2018, hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë por ky propozim u hodh poshtë unanimisht në Samitin e BE për shkak të lidhjeve të qeveritareve me krimin e organizuar dhe korrupsionin” shkruante ndër të tjera Berisha, postim të cilin me urdhër gjykate e ka fshirë nga faqja e tij.

Më tej, në reagimin e tij, Berisha mundohet të mbrohet me faktin se ai e ka marrë artikullin nga një portal dhe më pas ka komentuar politikisht, por sipas tij, portali nuk është dënuar. “U provua në gjykim se artikulli burim i lajmit as ishte përgënjeshtruar ndonjëherë ose të jetë shpallur i pavërtetë dhe as Rama nuk ka ndërmarrë deri më sot asnjë aksion civil ose penal ndaj prodhuesve të lajmit, por vetëm ndaj zotit Berisha të evidentuar qartazi si kundërshtar politik”, deklaroi zyra e ish kryeministrit pas humbjes së gjyqit.

Po ashtu, Berisha ka akuzuar dhe gjykatën se është keqpërdorur nga Rama. “Në vazhdën e fushatës së kufizimit të fjalës së lirë dhe informacionit në Shqipëri, kryetari i narkoshtetit Edi Rama, duke keqpërdorur gjykatat e shantazhuara nga vettingu dhe të etiketuara si KÇK, nëpërmjet gjykatës së Tiranës vendosi pranimin e pjesshëm të padisë së tij për cenim nderi dhe dinjiteti”, deklaron Berisha. Ky vendim i gjykatës pritet të publikohet zyrtarisht të hënën, ku të dhënat e protagonistëve janë anonimizuar.



Skip to toolbar