Pasditen e të dielës në Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë për 7 drejtues të Partisë Demokratike në Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas, të cilët penguan eskortën e Kryeministrit Edi Rama gjatë mbajtjes së takimeve elektorale në këto qytete tre ditë më parë. Kështu, Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg 4 nga 7 të arrestuarit, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar burg për 5 prej tyre.
Në burg ka mbetur kryetari i Degës së PD-së në Librazhd, Bujar Vreto; kreu PD-së në Prrenjas, Arjan Kariqin si dhe dy prej mbështetësve të PD-së, Bujar Kojku, 54 vjeç, nga Librazhdi dhe Dashamir Boja, 47 vjeç, nga Shtërmeni, Cërrik.
Ndërkohë, për ish-deputetin e PD-së, Aurel Bylykbashi është dhënë masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Po me këtë masë, janë lënë të lirë edhe disa drejtues të tjerë të PD-së. Konkretisht detyrim paraqitje nga gjykata e Elbasanit është vendosur edhe për sekretarin e PD-së në Librazhd, Erlind Gurra dhe për sekretarin e PD-së në Prrenjas, Leonard Ozuni.