I dënuar me 17 vjet për vrasje, kapet në Tiranë 49-vjeçari korçar (emri)

AKTUALITET


Forcat e posaçme “Shqiponja” të Policisë së Tiranës, arrestuan një të shumë kërkuar i cili ishte i dënuar për vrasje. Nga operacioni “Gjeneraliteti i rremë”, policia vuri në pranga shtetasin Kastriot Fejzo, 49 vjeç, i dënuar me 17 vjet e 6 muaj e 24 ditë burgim për veprën penale “Vrasje me dashje, e kryer në bashkëpunim”.

Në momentin e ndalimit, këtij shtetasi i janë gjetur 20 mijë dollarë amerikan dhe 2 milionë lekë, të dyshuara të përfituara në mënyrë jo të ligjshme. Policia e Tiranës ishte informuar se ky shtetas qarkullonte me makinë në Tiranë. Ndaj, është organizuar dhe operacioni për kapjen e tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në momentin e ndalimit ky shtetas me qëllim për t’iu shmangur përgjegjësisë penale është prezantuar para shërbimeve të Policisë me gjeneralitetet e kushëririt të tij, por pasi është shoqëruar në drejtori është kryer verifikimi i mëtejshëm i këtij shtetasi.

Aty ka rezultuar se është shtetasi Kastriot Fejzo, 49 vjeç, i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kolonjë e ka dënuar këtë shtetas me 17 vjet e 6 muaj e 24 ditë burgim për veprën penale “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim”. Ky shtetas iu dorëzua Policisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.



Skip to toolbar