I dënuar me 18 vite burg/ Gjykata e Janinës vendos ekstradimin në Shqipëri të Laert Haxhisë

AKTUALITET


Gjykata e Shkallës së Dytë, Apeli i Janinës, shprehet pro ekstradimit të Laert Haxhiut drejt vendit tonë.

Burime nga Ministria e Brendshme konfirmojnë se shkalla e dytë e gjyqësorit helen është shprehur pozitivisht kërkesës së Shqipërisë, por Haxhiu ka edhe të drejtën e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Lartë greke.

I riu lushnjar është dënuar me 18 vite nga Gjykata e Lartë teksa vijon procesi në GJKKO për “Masakrën e Lushnjës” që e përfshin Haxhiun në ngjarje.

Gjithashtu ai u shpall në kërkim nga Prokuroria e Elbasanit edhe në kuadër të operacionit “Never Forget” pas dëshmisë së Artan Tafanit, bashkëpunëtor i drejtësisë, ku ai del autor apo organizator i disa vrasjeve.

Haxhiu gjithashtu kishte planifikuar të eleminonte edhe prokuroren e posaçme Doloreza Musabelliu, sipas dëshmisë së Tafanit.

Pas kësaj, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani iu drejtua Policisë së Shtetit me një shkresë ku i kërkonte marrjen në mbrojtje të prokurores.

Laert Haxhiu dhe grupi i tij kërkonte vrasjen e saj për shkak se kishte hetuar dy miqtë e tij, Orges Bilibli dhe Anterio Kaloshi, dhe vetë atë për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë.



Skip to toolbar