Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Policia e Fierit dhe Interpol Tirana, arrestuan të mërkurën një person të kërkuar nga drejtësia italiane. Sipas një njoftimi zyrtar, mësohet se në pranga është vënë shtetasi me inicialet F.G., 45 vjeç, banues në fshatin Dërmënas.
Sipas Policisë, ky person ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2016, pasi është dënuar me 18 vite e 4 muaj burg nga Gjykata e Milanos në Itali, për veprën penale “Organizatë kriminale me qëllim trafik droge (heroinë) në sasi të mëdha”.
Gjatë operacionit për arrestimin e këtij personi, policia sekuestroi dhe një sasi lënde narkotike kabanis si dhe një armë gjahu “karabinë”. Materialet hetimore i kalojnë Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.