Ekzekutimi i Vilson Tafçiu (Noka), 28-vjeç, me armë zjarri para lokalit “Artisti” në zonën e Astirit në Tiranë, dyshohet të ketë lidhje me të kaluarën e tij me trafikun e drogës. Hetimet janë përqendruar në të kaluarën e viktimës, i cili ishte deportuar nga Franca në vitin 2018 për trafik droge, ndërsa kishte jetuar edhe në Belgjikë.
Viktima ka qenë i shoqëruar më dy vajza në lokal ku po konsumonin kafe, kur është thirrur nga një person për të dalë jashtë, ku dhe është qëlluar për vdekje. Sipas dëshmitarëve 28-vjeçari është thirrur nga një person i gjatë dhe më pas e ka qëlluar para lokalit, që ndodhej në një zonë mjaft të populluar.
Noka ka marrë tre plumba në pjesën e gjoksit çka i kanë shkaktuar atij vdekjen. 28-vjeçari ishte me origjinë nga Dibra dhe ndodhej në zonën e Astirit, për të varrosur gjyshen, e cila kishte ndërruar jetë para pak ditësh.
Policia ka shoqëruar mbi 20 persona, që ndodheshin në lokal, për t’i pyetur për ngjarjen, si dhe ka ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit.