Turqi, rritet në 35 numri i të vdekurve nga tërmeti

Agjencia turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave njoftoi se është rritur në 35 numri i të vdekurve nga tërmeti me magnitudë 6.8 ballë me epiqendër në rajonin Sicrice në Elazig të Turqisë, raporton agjencia e lajmeve Anadolu.

Gjithashtu, 1.556 persona të tjerë janë plagosur duke marrë ndihmë mjekësore në spital. Ndërkohë, grupet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën për gjetjen e trupave të tjerë të viktimave apo të mbijetuarëve nën rrënoja. Deri më tani, si rezultat i operacioneve të kërkim-shpëtimit janë shpëtuar 45 persona.

Në rajon kanë mbërritur 9.233 çadra prej të cilave ka përfunduar instalimi i sasisë së nevojshme. Pas analizave përcaktuse të dëmeve është konstatuar se janë shembur 76 ndërtesa, janë dëmtuar rëndë 642 dhe 425 ndërtesa kanë dëme të vogla dhe të mesme, njoftoi AFAD në deklaratën e saj.

Gjithashtu AFAD tha se në punimet në terren janë të angazhuar një personel prej 3.433 personash të ekipeve të kërkim- shpëtimit si dhe 192 të tjerë nga grupet për çështjet e ushqimeve, strehimit, energjisë, komunikmit dhe punimeve të tjera psiko-sociale.

I dënuar për trafik droge, viktima në Astir kishte ardhur për të varrosur gjyshen

Ekzekutimi i Vilson Tafçiu (Noka), 28-vjeç, me armë zjarri para lokalit “Artisti” në zonën e Astirit në Tiranë, dyshohet të ketë lidhje me të kaluarën e tij me trafikun e drogës.  Hetimet janë përqendruar në të kaluarën e viktimës, i cili ishte deportuar nga Franca në vitin 2018 për trafik droge, ndërsa kishte jetuar edhe në Belgjikë.

Viktima ka qenë i shoqëruar më dy vajza në lokal ku po konsumonin kafe, kur është thirrur nga një person për të dalë jashtë, ku dhe është qëlluar për vdekje. Sipas dëshmitarëve 28-vjeçari është thirrur nga një person i gjatë dhe më pas e ka qëlluar para lokalit, që ndodhej në një zonë mjaft të populluar.

Noka ka marrë tre plumba në pjesën e gjoksit çka i kanë shkaktuar atij vdekjen. 28-vjeçari ishte me origjinë nga Dibra dhe ndodhej në zonën e Astirit, për të varrosur gjyshen, e cila kishte ndërruar jetë para pak ditësh.

Policia ka shoqëruar mbi 20 persona, që ndodheshin në lokal, për t’i pyetur për ngjarjen, si dhe ka ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit.

Gjendet i pajetë një person në Tepelenë, dyshimet e policisë

Mëngjesin e të premtes një trup i pajetë është gjetur në fshatin Maricaj në Tepelenë.

Trupi është i një mashkulli rreth moshës 50 vjeç.

Dyshohet se trupi është i një çobani që jetonte në këtë zonë. Viktima është gjetur i mbytur në lum.

Trupi i gjetur i pajetë ende nuk është identifikuar.

Në vendin e ngjarjes shkuan forca të policisë dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Grabitet dhe vritet një grua në Mallakastër, trupi gjendet i lidhur me litar

Një grua është rrëmbyer dhe më pas vrarë nga disa persona ende të paidentifikuar në fshatin Gjerbës të Mallakastrës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 5 janar 2020, ndërsa trupi i saj është gjetur i lidhur me litar dhe i hedhur në rezervuarin e fshatit. Kanë qenë banorët që kanë pikasur trupin e pajetë dhe më pas lajmëruar policinë.

Viktima Drita Saliaj, 51 vjeçe, jetonte e vetme në banesë në fshatin Gjerbes, ndërsa bashkëshorti i saj ishte emigrant.

Sipas policisë ngjarja e ka zanafillën kur tre të rinj, kanë shkuar për të grabitur banesën e viktimës duke menduar se nuk kishte njeri, por sapo kanë hyrë të rinjtë kanë pikasur 51-vjeçaren.

Dyshohet se gruaja  mund t’i ketë njohur dhe për këtë arsye ato e kanë rrëmbyer e më pas vrarë atë që të mos identifikoheshin. Trupi i gruas ishte i lidhur me litar dhe më pas është hedhur ne rezervuar ku dhe është mbytur. Trupi i saj është identifikuar nga banorët e zonës dhe familjarët.

Deri në këto momente policia ka shoqëruar 3 persona për të mësuar edhe më shumë rreth ngjarjes, ndërsa vijojnë hetimet.

Shembet hoteli, 36 të vdekur. Ende persona nën rrënoja

36 persona humbën jetën si pasojë e shembjes së një hoteli, i cili ishte në ndërtim e sipër. Nga rrënojat u nxorën të gjallë 23 persona, ndërsa kërkimet vijojnë për gjetjen e trupave të tjerë.

Nuk dihen arsyet se pse hoteli u shemb, por nën rrënoja ka mbetur i vdekur edhe përgjegjësi i zonës ku po ndërtohej, ndërsa pronari i ndërtesës është arrestuar. Viktimat ishin punonjës që po punonin për ngritjen e hotelit në Kamboxhia.

Kryeministri kamboxhian Hun Sen e cilësoi një ngjarje të trishtë dhe u ka premtuar familjarëve të viktimave dhe të plagosurve dëmshpërblim në para.

48 viktima nga tërmeti! Shiu vështirëson operacionin e kërkimit

Gjatë orëve të mbrëmjes të së enjtes nisën reshjet e shiut në Durrës, aty ku po vijon puna e forcave të kërkim-shpëtimit për nxjerrjen nga rrënojat e të paktën dy trupave të tjerë, të dyshuar se kanë humbur jetën nga tërmeti. Shiu i ka vështirësuar operacionet, megjithatë, ato vijojnë pandërprerë.

Rreth orës 17:22 të pasdites të së enjtes, forcat e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë nga rrënojat e vilës së familjes Lala në Durrës, trupat e pajetë të katër personave. Ato i përkasin shtetases Marjeta Lala dhe tre fëmijëve të saj, djalit të madh Emilio si dhe dy binjakëve të saj Dionis dhe Dionisa. Tashmë bilanci zyrtar i viktimave të tërmetit shkon në 48 të vdekur, duke e rënduar bilancin dhe më shumë. Ndërkohë operacioni i kërkim-shpëtimit vijon edhe për gjetjen e trupit të fundit që ndodhet nën rrënoja.

Më herët, pasditen e të enjtes një tjetër trup i pajetë u nxorr nga rrënojat e vilës së familjes Lala në Durrës, por identiteti i tij ende nuk është bërë i ditur. Njëri nga qentë nuhatës ka bërë të mundur lokalizimin e trupit të pajetë ndërsa më pas forcat e kërkim-shpëtimit kanë bërë të mundur të nxjerrin trupin e pajetë.

Ende nuk dihet se i kujt nga personat e pagjetur është trupi i nxjerrë pasditen e të enjtes. Ndërkohë, deri më tani janë nxjerr 8 persona të vdekur nga rrënojat e vilës së familjes Lala, që u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit.

Me trupat e nxjerrë deri më tani shkon në 48 numri i viktimave të tërmetit që humbën jetën në Thumanë dhe Durrës. Ndërkohë, personat e shpëtuar janë 45, ndërsa ata që mbetën të plagosur janë mbi 790. Kërkimet janë ndërprerë në Thumanë, pasi Ministria e Mbrojtjes tha se nuk raportohet më për persona të zhdukur. Ndërkohë që vijojnë në Durrës, pasi ka ende trupa nën rrënoja.

Nxirren dy trupa të pajetë, rëndohet bilanci, 36 viktima nga tërmeti. 31 konfirmohen zyrtarisht

Pasditen e të mërkurës është rënduar bilanci i viktimave të tërmetit të së martës. Të paktën 36 persona mësohet se janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e palleteve dhe objekteve të tjera të shembura në Thumanë dhe Durrës. Mirëpo ky numër është konfirmim mediatik, siç raporton News 24. Ndërsa Ministria e Mbrojtjes konfirmon zyrtarisht 31 persona të vdekur. Në një njoftim gjatë ditës, Ministria e Mbrojtjes sqaroi se viktima cilësohet zyrtarisht i vdekur vetëm pas konfirmimit nga policia dhe mjekësia ligjore.

Ndaj, shifrat janë kontradiktore. Megjithatë, grupet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën për nxjerrjen nga rrënojat e të tjerë trupave në Thumanë e Durrës. Ndërkohë, numri i personave të plagosur raportohet të jetë të paktën 657 njerëz, ndërsa ka pasur dhe shumë raste që paraqiten në spital për të marrë ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së panikut.

Tre viktima u nxorën nga pallati 6 katësh që u shemb në Durrës; 5 viktima në rrënojat e 3 pallateve që u shembën në Thumanë; 4 viktima janë nxjerrë nga rrënojat në Kënetë në Durrës. Në vilën që u shemb në Kënetë, tre viktima në familjen Lala por nga kjo familje u shpëtua një 17-vjeçar.

Një viktimë u gjet në rrënojat e Kavalishencës në Durrës. Bëhet fjalë për policin Bajram Hadërmataj. Një person nga paniku u hodh nga pallati në Kurbin duke humbur jetën. Dy vëllezër të rinj nga Kosova u nxorën të pajetë nga rrënojat e ‘Tropikalit’. Në Thumanë e Durrës situata vijon të jetë e rëndë pasi ka ende njerëz në rrënoja.

Mëngjesin e sotëm u nxor i vdekur edhe 32-vjeçari Klement Çupi, ndërkohë në spital ka humbur jetën 31-vjeçari Saimir Greku, i cili nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra. Pavarësisht se shpresat nuk ishin shuar, lajme erdhën nga Thumana, atje ku tërmeti i së martës ishte shkatërrues, duke shkaktuar viktima. Çifti i bashkëshortëve, Pëllumb dhe Çelike Greku janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e pallatit 6-katësh ku banonin.

Sot është shpallur ditë zie kombëtare nga qeveria. Sipas IGJEUM, që nga dje e deri sot, ka pasur rreth 310 paslëkundje. Ndërkohë në kampingun e Thumanës janë ngritur rreth 67 çadra ku janë strehuar 700 banorë dhe po kështu janë ngritur kampe edhe në Durrës, Manëz, Ishëm, Sukth e Katund i Ri, rreth 181 çadra në total, ku janë strehuar rreth 1450 banorë. Shqipëri u trondit mëngjesin e së martës nga një tërmet i shkallës 6.3 të shkallës Rihter që ra në orën 3:54 të mëngjesit dhe u pasua me disa lëkundje të tjera.

Aksident në Milot-Rrëshen, makina përplas për vdekje këmbësorin

Një person humbi jetën pasi u përplas për vdekje nga një makinë, gjatë kohës që po tentonte të kalonte rrugën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Milot- Rrëshen, tek “Rrethrrotullimi i Milotit”.

Automjeti tip “Benz” ka përplasur një këmbësor, identiteti i të cilit nuk dihet ende. Ai u dërgua me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit me iniciale A.N., për sqarimin e plotë të aksidentit tragjik.

Tiranë, gjendet një trup i dekompozuar në kabinën elektrike

Një trup i pajetë u gjet në rrugën e Kavajës, brenda një kabine elektrike të braktisur në Tiranë. Trupi u gjet në gjendje të dekompozuar dhe u identifikua si shtetasi me iniciale R.Z., 39 vjeç.

Kufoma u gjet në një ndërtesë që ka shërbyer si  kabinë elektrike por që ishte jashtë funksioni prej shumë kohësh.

Në trup nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se 39-vjeçari të ketë ndërruar jetë për shkaqe natyrale.  

Përgjaket e diela, 3 viktima brenda pak orëve

Dita e diel është përgjakur nga tre aksidente, ku janë shënuar 3 viktima, një në Lushnje, një në Durrës dhe një në Tiranë.

Një person ka humbur jetën pas një aksidenti të ndodhur te rrethrrotullimi i Teg-ut. Një makinë ka përplasur një motoçikletë duke lënë të plagosur rëndë drejtuesin e tij. Drejtuesi i automjetit E. Ç ka përplasur një motoçikletë me drejtues 46-vjeçarin me inicialet L. M.

46-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’i mbijetojë dot plagëve.

Një tjetër aksident ndodhi pasditen e të dielës në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, ku një makinë ka përplasur një 80-vjeçar , i cili ka tentuar të kalojë autostradën në këmbë. Mjeti tip “Volkswagen” me drejtues​ shtetasin D. Gj., ka aksidentuar këmbësorin R.D., rreth 80 vjeç, i cili ka ndërruar jetë.

Edhe aksi rrugor “Tre Urat” në Çermë Sektor të Lushnjes u përgjak me një viktimë. 64-vjeçari Fatmir Muçi, po udhëtonte me biçikletë në momentin kur është përplasur nga një fuoristradë që drejtohej nga një 17 vjeçar. Adoleshenti u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa u arrestua 3 orë më pas nga policia.

Skip to toolbar