Ka përfunduar në spital, një ditë pas arrestimit, pedagogu i Universitetit të Elbasanit Denis Himçi, i cili u denoncua nëpërmjet një video duke i kërkuar favore seksuale një studenteje, në këmbim të notës kaluese.
Himçi ka pësuar parainfarkt duke u dërguar me urgjencë në spitalin e Elbasanit dhe më pas është nisur drejt QSUT-së në Tiranë. Ai është ndjerë keq gjatë natës, ndërsa efektivët kanë bërë shoqërimin e tij në spital.
Denis Himçi u arrestuar pasi u filmua nga kamera e fshehtë, ku i kërkonte favore seksuale një studenteje në këmbim të notës kaluese si dhe i premtonte se do të ndikonte tek kolegët e tjerë që ajo të merrte provimet e mbartura.
“Mallkuar ai që nuk të do ty, të çoj unë për ndonjë masazh. Zëre se unë jam engjëlli yt dhe do t’i plotësoj të gjitha nga A-ja te Zh-ja”, dëgjohet të thotë ndër të tjera pedagogu në video.
Himçi akuzohet për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.