“I rënduar psikologjikisht”. Portieri i Partizanit u vetëhodh nga pallati

#NËRADAR


Të shtunën në mbrëmje Tirana u trondit nga një ngjarje e rëndë. Portieri 24 vjeçar i Partizanit, Aldo Teqja është vetëhedhur nga kati i gjashtë i pallatit. Ky është informacioni paraprak zyrtar që jep Policia e Shtetit. Sipas uniformave Blu, 24-vjeçari është vetëhedhur nga pallati rreth orës 19:40 të mbrëmjes në rrugën “Medar Shtylla”. Dyshohet se Aldo Teqja ishte në gjendje të rënduar psikologjike. Për momentin ai ndodhet në Spital nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, me një njoftim të klubit të Partizanit, mësohet se futbollisti ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Klubi njofton se pjestari i ekipit Aldo Teqja siç edhe është raportuar në media ka pësuar një aksident menjëherë pas përfundimit të takimit Partizani – Teuta. Aktualisht portieri Teqja gjendet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë nën mbikqyrjen e mjekëve, fatmirësisht jasht rrezikut për jetën. Mjekët e spitalit janë duke monitoruar gjendjen e Lojtarit. Prezent në ambientet jashtë spitalit janë shokët e skuadrës, stafi dhe drejtues të Klubit”, shkruan Partizani.

Kujtojmë se Aldo Teqja u bashkua me klubin e Kuq këtë sezon, pasi u largua nga Skënderbeu. Futbollisti ishte pjesë e skuadrës së Skënderbeut  për disa sezone, ndërsa në sezonin e fundit ai luajti si titullar në Korçë. Kurse, këtë sezon, ai u bashkua me Partizanin për një aventurë tjetër, por nuk gjeti hapësira, pasi portier i parë është Alban Hoxha. Është e paqartë, nëse gjendja e rënduar psikologjike e futbollistit vjen për shkak të mos aktivizimit në skuadër, apo për arsye të tjera.



Skip to toolbar