Idajet Beqiri, kreu i Partisë Uniteti Kombëtar, e ka cilësuar të gabuar vendimin e Gjykatës së Durrësit për mosdhënien e mandatit të kryetares së re të Bashkisë, Valbona Sakos. Beqiri tha se gjykata ka vetëm për detyrë të vërtetojë mandatin në lidhje me moshën, veprat penale dhe pastërtinë e figurës, por jo ligjshmërinë apo jo të regjistrimit të partive politike në zgjedhje. Gjykata nuk ka të drejtë të hedh si të pavlefshëm një vendim të KQZ tha Beqiri gjatë një interviste televizive.
“Gjykata e Durrësit ka marrë një barrë që nuk i takon. Ka bërë një gabim të rëndë. Gjykata ka për detyrë vetëm të vërtetojë mandatin. E ka specifike çfarë vërtetimi kërkohet. Kushtetuta thotë se vërtetimi bëhet për moshë, veprat penale dhe pastërtinë e figurës dhe jo të thotë se vendimi i KQZ është i pavlefshëm. Si mund të fusësh si palë Bindjen Demokratike, kur kërkuesi është vetëm Valbona Sako”. – tha Beqiri