Gjykata e Posaçme rrëzon SPAK: Të rihetohen gjyqtarët që ulën dënimin e Dritan Dajtit

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Kundër Korrupsionit, vendosi të mos pranojë kërkesën e SPAK për të pushuar hetimin ndaj 3 gjyqtarëve të çështjes Dritan Dajti. Sipas Balkanweb, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërksen e SPAK, duke kthyer për hetim çështjen ndaj gjyqtarëve që pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin, duke e dënuar me 25 vite heqje lirie. Prokuroria e Posaçme (SPAK) arsyetoi se për tre gjyqtarët, Skënder Damini, Petrit aliaj dhe Aleks Nikolli, nuk janë gjetur elementë të veprës penale.

Për ta nisi hetimi pasi dënimin e përjetshëm për Dritan Dajtin e kthyen në 25 vite burg. Ndaj tyre pati dyshime për korrupsion, por akuzat nuk u provuan. Dritan Dajti është i akuzuar për vrasjen e 4 policëve në vitin 2009, gjatë një aksioni për kapjen e tij. Ai i shpëtoi burgimit të përjetshëm pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda nga trupa gjykese me tre gjyqtarët e akuzuar për korrupsion. Kjo trupë gjykuese pranoi gjykimin e shkurtuar duke e dënuar me 25 vite burg Dritan Dajtin. Ai akuzohet për vrasjen e katër policëve, Faton Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj, gjatë operacioni për kapjen e tij.

Në atë aksion u plagos dhe vetë Dritan Dajti dhe Fatjon Shamku, ndërsa mbeti i vdekur Ledio Mara. Për këtë ngjarje, Dritan Dajti u dënua me katër burgime të përjetshme nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pas një kalvari të gjatë gjyqesh. Por, Apeli e uli dënimin në 25 vite, duke pranuar gjykimin e shkurtuar ndaj tij. Ky vendim nuk u prit mirë nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj që kërkoi hetim ndaj gjyqtarëve që dhanë këtë vendim. Prokuroria bëri rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit kurse gjyqtarëve iu bë kontroll në banesa.

Të arrestuarit për tërmetin/ Gjykata e Apelit liron dy persona, mbeten në burg të tjerët

Gjykata e Apelit në Durrës dha la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për 6 nga tetë personat e arrestuar për shpërdorim detyre me ndërtesat që u shembën nga tërmeti. Ndërkohë, për dy të tjerë është dhënë masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Konkretisht, në burg do të vijojnë të jenë:

Arben Isaku, ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Klajdi Lame, inspektor i INUV në Durrës, në pallatin 6-katësh ku vdiqën dy vetë, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Kujtim Hasa, shefi i shërbimeve të Kavalishencës, i akuzuar për “vrasje me dashje”.

Rruzhdi Xheka, ndërtues informal i ‘Hotel Mira-Mare’, ku vdiqën 2 vetë, i akuzuar për vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.

Avdulla Osmani, ndërtues informal i “Hotel Tropikal”, ku vdiqën dy kosovarë, i akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese.

Defrim Celami, specialisti që përpiloi akti-ekspertimin e pallatit 6 katësh, i akuzuar për shpërdorim detyre”.

Ndërsa, Albrend Qetka specialisti i ALUIZNI-t që verifikoi pallatin 6 katësh në Durrës, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe Nevjana Isufi,  e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshuar si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”  u dha masa “detyrim paraqitje”.

Ndërkohë mbeten ende në kërkim shtetasit: Arben Qato, pronar i Vila Palma, Dëshira Qato, shefe e urbanistikës në Kavajë (Gruaja e Arben Qatos), Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit, Artemis Malko, punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit, Artur Cela, ish-drejtori i INUV, Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNIT Durrës Ndërtuesi i banesës së familjes Lala në Kënetë.

U skualifikua për pasurinë, Gjykata e Apelit Administrativ rrëzon KLGJ për gjyqtarin Demollari

Gjykata e Apelit Administrativ rrëzoi Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke e urdhëruar të emërojë në detyrë një magjistrat. Bëhet fjalë për Florin Demollarin, i cili mbaroi shkollën e Magjistraturës këtë vit.

Ai kishte aplikuar pranë KLGJ për tu emëruar në detyrë, por pas verifikimeve Këshilli i Lartë Gjyqësor vrejti se Demollari kishte probleme me pasurinë. Sipas News 24, KLGJ rrëzoi kërkesën e Demollarit për tu emëruar në detyrën në sistemin e drejtësisë.

Ndërkohë, Florin Demollari apelojë vendimin e KLGJ në Gjykatën e Apelit Administrativ. Kjo gjykatë ka hedhur poshtë vendimin e KLGJ, duke urdhëruar emërimin e Demollarit në detyrë.

KLGJ pritet të apelojë vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ përgjatë 2020, pasi të jetë zbardhur vendimin i arsyetuar. Ndërkohë, deri në zbardhjen e këtij vendimi, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të vijojë procedurat e emërimit të magjistratit.

Gjykata vendos “arrest në burg në mungesë” për Kajmakun

Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest në burg në mungesë” për ish-kreun e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, për të cilin të hënën Prokuroria lëshoi urdhër arresti. Sipas News 24, gjykata urdhëroi kryerjen e kontrollit në banesën e Kajmakut, për të kërkaur prova që vërtetojnë shpërdorimin e detyrës.

Të hënën policia shkoi në banesën e Kajmkaut për të kryer arrestimin e tij, por nuk e gjeti në banesë. Më herët, Kajmaku ishte shkarkuar nga detyra si kryebashkiak nga KQZ pasi deklaroi të dhëna të rreme në formularin e vetëdeklarimit.

Pasi KQZ e kishte shkarkuar nga detyra, Kajmaku kishte kryer një tjetër vepër penale, duke ushtruar detyrën përtej afateve të përcaktuara. Pra, një ditë pasi KQZ vendosi t`i ndërpriste mandatin, Kajmaku shkarkoi nga detyra dy nënkryetarët e bashkisë.

Për këtë arsye, ndaj tij rëndojnë tashmë tre vepra penale: shpërdorim detyre, sipas nenit 248 te Kodit Penal, falsifikimi i formularëve, neni 190 i Kodit Penal, dhe Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës, neni 249 i Kodit Penal.

Zbardhet vendimi, asnjë provë që lidh Tahirin me Habilajt

Gjykata e Krime të Rënda ka zbardhur të plotë vendimin e dënimit të dhënë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, me të gjitha argumentet e rrëzimit të akuzave të prokurorisë për të, duke argumentuar se ato përbëjnë dyshimin e arsyeshëm për të hetuar, por asnjë prej tyre nuk është provë për dënimin e ish ministrit për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.

Sipas Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, janë vlerësuar si të pamjaftueshme provat e paraqitura nga Prokuroria për të lidhur Saimir Tahirin me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe e vetmja lidhje e provuar e ish-ministrit të Brendshëm me Habilajt është ajo farefisnore.

Organi i akuzës i mbështet provat te makina tip Audi A8, që Saimir Tahiri ia ka shitur Artan Habilajt, udhëtimet me skafin e Orest Sotës dhe udhëtimin e përbashkët për në Itali të dy prindërve të Saimir Tahirit me Moisi Habilajn. Për të tria këto episode, gjykata thotë se ato të krijojnë “dyshimin e arsyeshëm” të lidhjes së fortë të Saimir Tahirit me grupin e Habilajve, por në asnjërin prej këtyre rasteve, sipas vendimit të zbardhur të gjykatës, nuk kalohet caku i “dyshimit të arsyeshëm”. Pra, për gjykatën dyshimet e prokurorisë mbeten thjesht dyshime që nuk janë provuar në dosje dhe për këtë arsye gjykata i ka rrëzuar si prova që të lidhin Saimir Tahirin me trafikun e drogës.

Në rastin e shitjes së Audit, gjykata i referohet procesit gjyqësor të zhvilluar në vitin 2015 në Gjykatën e Fierit ndaj ish-oficerit të antidrogës, Dritan Zagani. Zagani ishte i pari që denoncoi se Habilajt lëviznin të lirë me makinën e Saimir Tahirit, që në atë kohë ishte ministër i Brendshëm.

Për llogari të këtij procesi është marrë në pyetje vetë Saimir Tahiri. Sipas procesverbalit të pasqyruar edhe në dosjen e prokurorisë për Krimet e Rënda, ish-ministri i Brendshëm ka pranuar se ka lidhje farefisnore të largët me Artan, Florian dhe Moisi Habilajn. Në këtë dëshmi, Tahiri pranon se ia ka shitur Audin Artan Habilajt dhe vetë ky i fundit e përsërit këtë. Ndërmjetësues në këtë transaksion ka qenë xhaxhai i Saimir Tahirit, Kujtimi. Prokuroria ngriti dyshimet se automjeti ishte lënë vetë në emër të Saimir Tahirit për t’u mundësuar Habilajve qarkullimin pa pengesa dhe shmangien e kontrolleve. Por, gjykata e hodhi poshtë këtë dyshim duke deklaruar se nuk provohej ky pretendim i prokurorisë.

Edhe sa u takon udhëtimeve të Saimir Tahiri me këtë mjet edhe pas shitjes së tij, Gjykata rrëzon pretendimet e prokurorisë se ato provojnë akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Gjykata ka rrëzuar edhe dëshminë e një shtetasi italian të arrestuar në Katania si bashkëpunëtor i Habilajve. Antonio Riela ka deklaruar në dëshminë e tij se Moisi Habilaj i kishte thënë disa herë që të mos shqetësohej, pasi në Tiranë kishte një person të pushtetshëm që e mbronte.

Gjatë përgjimeve ambientale dhe atyre telefonike mes Shqipërisë dhe Italisë, prokuroria përfshiu në dosje edhe përmendjen e emrit Saimir nga trafikantët. Në vendimin e arsyetuar, gjykata vëren se ky emër është përmendur dy herë. Por, në të dyja rastet gjykata thotë se nuk kalohet caku i dyshimit të arsyeshëm për të akuzuar Saimir Tahirin si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.

Gjykata ka rrëzuar edhe një tjetër provë të fortë të prokurorisë, një përgjim mes xhaxhait të Saimir Tahirit, Kujtim Tahiri dhe Artan Habilajt. Bëhet fjalë për një përgjim të shtatorit të 2017, kur xhaxhai i Saimir Tahiri, Kujtim Tahiri telefonon Artan Habilajn. Megjithatë, në vlerësimin e gjykatës as ky përgjim nuk provon se Saimir Tahiri kishte një rol në grupin e strukturuar kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.

Gjykata rrëzon gjithashtu edhe përgjimet e tjera ambientale të palës italiane, ku prokuroria pretendon se Moisi Habilaj dhe të tjerët flasin për dhurata që i kanë blerë për Saimir Tahirin dhe prindërit e tij. Gjykata thotë se për sa kohë nuk është gjendur asnjë prej materialeve të përmendura në këto përgjime, dyshimet mbesin dyshime.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u shpall fajtor vetëm për shpërdorim detyre më 19 shtator, në seancën maratonë që zgjati 13 orë në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ai u dënua me 5 vite burg dhe pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar dënimi iu ul me 3 vite e 4 muaj burg. Zbutje vazhdoi më tej duke u kaluar në shërbim prove për të njëjtën periudhë kohore.

Tahiri u shfaq i pakënaqur me këtë vendim dhe apeloi çështjen, duke kërkuar pafajësinë. PO ashtu ky vendim u apelua edhe nga Prokuroria për Krimet e Rënda e tashmë dosja ndodhet në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda.

Ekzekutimi i Malkos, jepet masa e sigurisë për 8 persona

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit të Krimeve të Rënda Behar Dibra, që kërkoi masën “arest me burg” në mungesë, për 8 personat e shpallur në kërim, që dyshohet se janë autor të vrasjes së Santiago Malkos.

Konkretisht, personat e akuzuar janë dy vëllezërit, Leonard dhe Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku dhe Dritan Agaj, të gjithë banues në Tiranë.

Me të njëjtën masë u vlerësua dhe Fatmir Hyseni, nga Vlora, i njohur me nofkën “Doqja”, i cili gjithashtu dyshohet si pjesë e bandës që vrau ish-policin Santiago Malko.

Këta persona, të shpallur në kërkim, akuzohen për veprën penale “Vrasja me dashje në bashkëpunim”, “Mbajtja e armëve pa leje”, “Vjedhja në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të rënda pritet të vlerësojë së shpejti edhe masën për Bledar Tetën, i cili është i arrestuari i vetëm për ekzekutimin e Santiago Malkos në muajin gusht. Teta u arrestua pasi u zbulua nga kamerat e sigurisë.

Ai dyshohet se kishte rolin e informatorit në grupin që ekzekutoi ish-policin, e përfshirë gjithashtu në vepra kriminale.

Tahiri i “lirë” me kusht

Saimir Tahiri nuk do të bëj asnjë ditë burg. Gjykata e Krimeve të Rënda, pas më shumë se pesë orësh në dhomë këshillimi, ka marrë vendimin për dënimi e Saimir Tahirit me 5 vite burg. Por ky vendim konvertohet në 3.4 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar. Megjithatë, Saimir Tahiri nuk do të bëj asnjë ditë burg, pasi dënimi i tij do të konvertohet në shërbim prove me tre vite. Në këto kushte, Saimir Tahiri, do të vuajë dënimin me kusht, me qëllim që ai gjatë kësaj periudhe të mos bëj asnjë shkelje tjetër të ligjit. Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar tre akuzat e tjera për të cilat po hetohej Saimir Tahiri. Sipas Gjykatës së Krimeve të Rënda, Prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme për të akuzuar Saimir Tahirin për “Grup të strukturuar kriminal”, “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe “Korrupsion i zyrtarit të lartë”.

Pasi dëgjoi vendimin, Saimir Tahiri doli përpara mediave, teksa nuk e kurseu buzëqeshjen dhe ironitë, Tahiri gjatë fjalës së tij tha se nuk qesh dhe as nuk qan dot për vendimin, ndërsa i ftoi mediat të flasin nesër gjatë dhe gjerë së bashku.

“Meqë ca kushërinj të mi kanë përdorur emrin tim, un ë i bie që kam shpërdoruar detyrën. Më lini ta përtyp, nuk qesh dhe nuk qaj dot. Nesër do ju ftoj që të ndajmë ca mendime. Mu duk një gjë që; je i pafajshëm, por skemi këllqe që ta themi. Nuk konsideroj asgjë fitore. Kjo është vetëm maja e ajsbergut të betejës time. Më la pa fjalë Gjykata. Nuk jam kriminel, por paskam shpërdoruar detyrën. Më lini pak kohë ta përtyp këtë. Mu duk një gjë e tipit ‘je i pafajshëm, por nuk kemi kohë ta themi” Për të gjithë kushërinjtë idiot që kemi në farefis, do dënohemi për shpërdorim detyre. Nuk di c’të them.”- u shpreh Tahiri për mediat. Tahiri, edhe pse është munduar të shfaqej i qetë, por në fytyrën e tij shfaqej nervozizmi.

Saimir Tahiri kërkoi gjykim të shkurtuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila në datën 10 shtator zhvilloi seancën e fundit dëgjimore të palëve, Prokurorisë dhe të akuzuarit. Në pretencën e saj, Krimet e Rënda kërkuan 12 vite burgim për Saimir Tahirin, i cili akuzohet për 3 vepra penale: “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të struktura kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”. Këto akuza janë hedhur poshtë nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka kërkuar pafajësi.

Në seancën e 10 shtatorit, Saimir Tahiri paraqiti prova të reja përpara trupës gjykuese, ku sipas tij vërtetonin pafajësinë. Ai paraqiti një dokument, ku pretendonte se i kishte kërkuar ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, që të shihte problemin e fikjes së radarëve. Ndërkohë, pas përfundimit të seancës maratonë të datës 10 shtator, Saimir Tahiri u shpreh se “nuk e mendonte dënimin”.

Edhe në seancën e të enjtes, Saimir Tahiri ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia. Gjatë ditës, Haxhia u shpreh se ishte e papranueshme që të “dënohej një ish-ministër dhe deputet”, pa pasur asnjë provë. Ndërkohë, ashtu si në të kaluarën, procesi ndaj Saimir Tahirit edhe në ditën e vendimit, është vëzhguar nga përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Megjithatë, kujtojmë se Tahiri nuk është përfshirë në gjykimin e dosjes “Habilaj”, për të cilën drejtësia italiane ka dhënë vendimin me burg për disa të arrestuar, përfshirë Moisi Habilajn, kushuririn e Saimit Tahirit. Drejtësia në vendin fqinj nuk gjeti prova që implikonin Saimir Tahirin në trafikun e drogës të organizuar nga vëllezërit Habilaj në Vlorë, ndaj në Itali u pushuan hetimet për ish-ministrin e brendshëm./Realstory.al/

Vendimi i Gjykatës: Kajmaku i pafajshëm

Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, që ka mbajtur emrin Jorgo Toto gjatë periudhës që ka qenë emigrant në Greqi, ka fituar në 12 shtator pafajësinë nga Gjykata e Janinës për akuzën e “falsifikimit të parave”.  “Gjykata e Janinës e mbledhur në 12 shtator 2019 pas ndërprerjes së seancës së datës 11 shtator. Të gjykohet i akuzuari i paraqitur (nëpërmjet avokatit të tij me prokurë, Jiorgo Toto, Thanas ose Thanasi, i Paraskevi, i lindur në 1971, Tiranë). Person i cili ka qenë në kërkim sipas vendimit nr. 79/2003 i gjykatës së Artës. Vendosim që i akuzuari të shpallet i pafajshëm për akuzën e falsifikimit të kartëmonedhave, për të cilat është akuzuar në Artë në 13.01.2003” mbyllet vendimi i gjykatës, publikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Ndërkohë, në këto kushte, Jorgo Toto apo Agim Kajmaku, shpallet i pafajshëm nga akuzat në shtetin grek. Megjithatë, Partia Demokratike, nëpërmjet Gazmend Bardhit shprehet se vendimi i Gjykatës Janinës ka vërtetuar akuzat e saj se “Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, ishte në kërkim nga drejtësia greke”.

“Gjykata e Janinës konfirmoi të gjithë denoncimet e Partisë Demokratike se Agim Kajmaku ishte në kërkim nga drejtësia greke, pasi është arrestuar në Janar 2003 me emrin Jorgo Toto dhe ai e kishte fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit. Seancat gjyqësore për Jorgo Toton e Bashkisë së Vorës, të zhvilluara në Janinë për 4 ditë, u japin fund zvarritjeve të prokurorisë për zbulimin e identitetit të kandidatit të Edi Ramës”, shkruan Gazmend Bardhi. Më tej, numri dy i PD-së, shprehet se Agim Kajmaku tashmë ka punë me drejtësinë shqiptare. Sipas Bardhit, ky vendim i gjykatës greke, konfirmon se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, ka gënjyer në Formularin e Dekriminalizimit.

 “Megjithëse i dha kohë të sigurojë që nuk futet në burg në Greqi duke mbyllur çëshjtjen atje, Agim Kajmaku ka punë me ligjin shqiptar. Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto ka qenë me proces penal të hapur në Greqi dhe me urdhër arresti në fuqi, ashtu sikurse Partia Demokratike denoncoi. Vendimi konfirmon se Agim Kajmakut, alias Jorgo Toto, nuk i lejohej nga ligji i dekriminalizimit të kandidonte për kryetar bashkie. Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku, alias Jorgo Toto ka gënjyer në Formularin e Dekriminalzimit, duke kryer veprën penale të fallsifikimit të dokumenteve. Agim Kajmaku ka fshehur arrestimin në Greqi me emrin Jorgo Toto. Për këtë duhet të shkarkohet nga detyra dhe t’i vihen menjeherë prangat për shkeljen flagrante të ligjit të dekriminalizimit dhe mashtrimin e qytetarëve shqiptarë”, përfundon Bardhi.

Vrau pronarin e marketit në sy të vajzës 6 vjeçe, dënohet me burg të përjetshëm vrasësi

Gjykata e Tiranës ka dënuar me burg të përjetshëm Vladimir Kurtin i cili akuzohet për vrasjes e Agim Bucit në prill të vitit 2018, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Ruzhdi Hoda u dënua me 26 vite burg. Ngjarja ka ndodhur në prill të vitit 2018, ku Kurti dhe Hoda shkuan të maskuar për të grabitur marketin në pronësi të Agim Bucit.

Para se të futeshin në dyqan, Kurti ka nxjerrë pistoletën, ndërsa Rrushdiu thikën duke u futur në dyqan. Vladimiri është afruar tek kasa për të marrë lekët, aty ndodhej edhe fëmija i Agim Bucit. Autorët qëlluan Agim Bucin dhe gruan e tij. Pas ngjarjes autorët u larguan me vrap, ndërsa kanë marrë makinën duke u larguar në drejtim të Bovillës duke hedhur maskat.

Pas ngjarjes ata u arrestuan nga policia. Ndërsa në gjyq janë shfaqur të penduar dhe i kanë kërkuar falje familjarëve të viktimës.

Madje Hoda ka thënë se nëse do e dinte që ngjarja do shkonte kështu, më mirë të kishte vdekur vetë.

“Jam dakort me mbrojtësin. Jam i tronditur nga ngjarja dhe nëse do e dija që do shkonte situata kështu më mire kisha vdekur vete. I kërkoj falje familjarëve, nuk gjej fjale, dhimbja është shumë e thellë, jam shume i penduar kërkoj falje nga të gjithë”, ka thënë Hoda.

Gjykata rrëzon Xhelal Mziun, i jep mandatin Rakip Sulit të PS

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë e kryetari të bashkisë në ikje të Kamzës, Xhelal Mziut për zgjedhjet e 30 Qershorit, ndërsa ka vendosur t’i njohë mandatin e kreut të ri të bashkisë, kryebashkiakut socialist Rakip Suli.

Mziu kërkoi në Gjykatë që mandati i Rakip Sulit të mos njihet nga Gjykata. Ai iu drejtua Gjykatës së Tiranës me një padi përmes të cilës kërkoi që të mos njihen zgjedhjet e 30 Qershorit duke pretenduar se mandati i Rakip Sulit nuk është i ligjshëm për shkak se është ende në fuqi dekreti i presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve.

Kjo kërkesë erdhi vetëm dy orë para zhvillimit të seancës gjyqësore ku u certifikua më pas mandati i kryebashkiakut të ri.

Pas 10 vitesh në krye të bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziut i duhet të lirojë zyrën për shkak se PD vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe si pasojë duke ia dhënë në tavolinë bashkinë e Kamzës PS-së.

Skip to toolbar